Handikos Ferizaj nënshkruan marrëveshje financiare për ndërtimin e Qendrës së re

Shoqata Handikos Ferizaj ka bërë një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të ndërtimit të Qendrës së saj të re, duke nënshkruar sot marrëveshjen financiare me kompaninë “TalentBridge” SH.P.K, në vlerë prej 2,000 euro, përcjell Telegrafi.
Kjo mbështetje, e ofruar nga kompania e drejtuar nga z. Qëndrim Shkodra, u vlerësua si më shumë se një kontribut financiar – një akt solidariteti dhe përkushtimi ndaj personave me aftësi të kufizuara dhe misionit të Handikos-it për përfshirje dhe barazi.
Nga kjo organizatë u bë e ditur se falë mbështetjeve të tilla, projekti i Qendrës së re po afrohet gjithnjë e më shumë drejt realizimit të plotë, duke synuar krijimin e një hapësire moderne, të ngrohtë dhe gjithëpërfshirëse për komunitetin.
Handikos Ferizaj ka falënderuar kompaninë TalentBridge për ndihmën dhe besimin e treguar në këtë projekt të rëndësishëm social. /Telegrafi/



















































