Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se Ramiz Lladrovci mbetet pjesë e pandashme e PDK-së, duke e cilësuar atë si një figurë të rëndësishme të partisë dhe komunës së Drenasit.

Në një postim publik, Hamza tha se gjatë takimit të tij me Lladrovcin është ritheksuar pa hezitim përkatësia e tij ndaj PDK-së.


“Në takim me mikun tim, zemërhapur, ritheksuam pa kushte se Ramiz Lladrovci ka qenë, është dhe mbetet PDK”, shkroi Hamza.

Ai shtoi se Drenasi vazhdon të jetë një prej bastioneve të forta të PDK-së dhe të vizionit të dëshmorëve të UÇK-së. Hamza theksoi se qeverisja e deritanishme në këtë komunë dëshmon unitetin dhe energjinë politike drejt fitores në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

“Drenasi është komuna e shtatë ku vizioni i heronjve tanë të luftës dhe paqes vazhdon të jetë bastion i fitoreve, në zemrën e Kosovës. Energjitë e bastionit të UÇK-së dhe PDK-së, në Drenasin e dëshmorëve dhe martirëve, me qeverisjen e shkëlqyer, do të jenë dëshmi e unitetit tonë për fitoren e 28 Dhjetorit. Të bashkuar, gjithmonë të fituar!”, përfundoi Hamza.