LAJMI I FUNDIT:

Hamza: Bizneset nuk janë ndihmuar gjatë pandemisë, duhet të veprohet shpejt për këstet e kredive dhe çështjen e kamatave

Hamza: Bizneset nuk janë ndihmuar gjatë pandemisë, duhet të veprohet shpejt për këstet e kredive dhe çështjen e kamatave
Foto: Arkiv

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë në seancën e Kuvendit, se tashmë vlerëson që janë plotësuar të gjitha kushtet që iniciativat ligjore të partisë së tij të diskutohen e të aprovohen në Kuvend.

Sipas tij, bizneset nuk janë përkrahur, ndërkaq tha se edhe në ato ndihma që janë dhënë ka pasur selektime dhe nuk janë trajtuar të gjithë të barabartë.


“Bizneset nuk janë përkrahur, një pjesë e të punësuarve të sektorit privat janë kompensuar me një pagë simbolike prej 170 euro, edhe atë jo të gjithë dhe për më keq janë bërë edhe selektime. Dhe derivon pyetje logjike: Si do të vazhdohet pagesa për muajt e ardhshëm, si do të bëhet pagesa në muajin maj e tutje. Pa u adresuar përmes ligjit kjo është e pamundur. Shumë kategori nuk janë përkrahur fare, siç janë kategoritë e dala nga Lufta e pensionistët kontributdhënës. Bizneset nuk i kanë pranuar paratë për shpenzimet e tyre operative. Pakoja është e vonuar e megjithatë nuk është gjithëpërfshirëse dhe jo me bazë të qartë legale. Vendimet edhe kur e kanë në momente të caktuara qëllimin e mirë, gjithsesi duhet të jenë ligjore.Ka nevojë të veprohet shpejt nga Qeveria dhe institucioneve tjera. Sidomos për lehtësimin e qasjes në kredi dhe për adresimin e çështjes së kamatave që duhet të adresohen për këstet e shtyra të kredive”, tha Hamza.

Sipas tij, iniciativat ligjore janë për të ndihmuar qytetarët, ndërsa theksoi se ata kanë qenë të hapur që të plotësohen nismat ligjore të propozuara nga partia e tij.

“Besojmë që janë krijuar parakushtet që iniciativat tona ligjore të vijnë e të diskutohen e aprovohen në Kuvend për tu ndihmuar qytetarët”, tha Hamza.

“PDK-ja bazuar në situatën e krijuar ka qenë subjekti i parë politik ka proceduar projektligjet që ta adresojmë këtë çështje dhe kemi qenë të hapur të pranojmë kritikat, propozime e plotësime të këtyre nismave ligjore, fatkeqësisht nuk ka ekzistuar vullneti politik. Këto projekt-ligje parashohin ndihmë në sektorin privat, për bizneset e sektorit privat, për komunat, komunitet, ndërmarrjet publike dhe çështje tjera të ngjashme”, tha Hamza.

Shefi i GP të PDK-së, tha se deri më tani vetëm 55 milionë euro janë paguar nga buxheti i shtetit për qytetarët, ndërkaq shtetet tjera sipas tij kanë paguar shumë më shumë gjatë kohës së pandemisë.

“Gjendja e krijuar nga COVID-19, ka shkaktuar edhe dëme dhe ndikim negativ në ekonomi dhe nëse kjo çështje nuk adresohet urgjent, impakti dhe ndikimi do të jetë afatgjatë. Derisa në shumicën e vendeve gjithandej botës, urgjent është intervenuar në ekonomi nga 5 deri ne 10 për qind të Bruto Produktit Vendor, kjo nuk ka ndodh në Kosovë. Qeveria e kaluar ka aprovuar një buxhet, edhe pse buxheti është aprovuar pas shpalljes së pandemisë, nuk ka përfshirë fonde që kishin me qenë të nevojshme për adresimin e kësaj çështje, për më tepër e dimë qysh është proceduar dhe aprovuar në Kuvendin e Kosovës buxheti duke i privuar deputetët që ta japin kontributin e tyre. Deri më tani nga buxheti i shtetit janë paguar vetëm rreth 55 milionë euro, që është më pak se 1 për qind e Bruto Produktit Vendor”, tha Hamza. /Telegrafi/