LAJMI I FUNDIT:

“Hallucinate” – fjala e vitit e Fjalorit të Kembrixhit

“Hallucinate” – fjala e vitit e Fjalorit të Kembrixhit
Ilustrim (Andrew Ostrovsky/Alamy)

Nga: Ella Creamer / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Fjala e vitit 2023 për Fjalorit të Kembrixhit është “hallucinate” [vegim!] – një folje kjo që ka marrë një kuptim shtesë gjatë këtij.


Përkufizimi origjinal i fjalës së zgjedhur është “duket sikur sheh, dëgjon, ndjen ose nuhat” diçka që nuk ekziston, zakonisht për shkak të “gjendjes shëndetësore ose përdorimit të ndonjë ilaçi”. Tani ka kuptim shtesë, që lidhet me sistemet e inteligjencës artificiale [AI], si ChatGPT, që krijojnë tekstin që imiton shkrimin njerëzor, që “vegon” dhe prodhon informacion të rremë.

Fjala u zgjodh sepse kuptimi i ri “ka të bëjë me thelbin e arsyes se pse njerëzit flasin për AI-në”, thuhet në një postim në faqen e fjalorit. Inteligjenca gjeneruese artificiale është mjet “i fuqishëm”, por “larg të qenit i përsosur”, “me të cilin të gjithë ne ende po mësojmë se si të ndërveprojmë në mënyrë të sigurt dhe efektive – kjo do të thotë të jemi të vetëdijshëm si për anët e tij të forta ashtu edhe për dobësitë aktuale”.

Fjalori shtoi disa terme që ndërlidhen me AI-në, duke përfshirë modelin e gjerë të gjuhës (ose LLM), AI-në gjeneruese (ose GenAI) dhe GPT (shkurtesë për transformuesin e paratrajnuar gjenerues).

“Vegimet e AI-së na kujtojnë se, në përdorimin e këtyre mjeteve, njerëzit ende duhet të ofrojnë aftësitë e veta të të menduarit kritik”, thuhet në postim. “Modelet e gjera gjuhësore janë të besueshme vetëm nga informacioni prej të cilit mësojnë algoritmet e tyre. Ekspertiza njerëzore patjetër që është më e rëndësishme se kurrë, për të krijuar informacionin autoritar dhe të përditësuar mbi të cilin mund të trajnohen LLM-të”.

Henry Shevlin, që merret me etikën e AI-së në Universitetin e Kembrixhit, ka thënë se është “e habitshme” që në vend se të merret një term specifik kompjuterik, si glitches ose bugs – për të përshkruar gabimet që bëjnë LLM-të – ekipi i fjalorit u përcaktua për një “folje psikologjike”. Ai tha se kjo mund të jetë kështu sepse “është kaq e lehtë të antropomorfizohen këto sisteme, duke i trajtuar ato thuajse kanë mendjet e veta”.

Shevlini gjithashtu tha se ky vit ndoshta do të jetë “vula e shqetësimeve” për vegimet e AI-së, sepse kompanitë e AI-së po bëjnë përpjekje për të frenuar shpeshtësinë e gabimeve, duke u mbështetur në reagimet njerëzore, dhe se përdoruesit po mësojnë se cilat lloje të detyrave duhet t’ua besojnë LLM-ve dhe modeleve që po bëhen gjithnjë e më të specializuara.

Fjalori ofron dy shembuj të përdorimi të “halucinate” në lidhje me AI-në: “LLM-të janë të njohur për vegime – duke gjeneruar përgjigje krejtësisht të rreme, shpeshherë të mbështetura nga citatet fiktive” dhe “Versioni i fundit i çetbotit është përmirësuar shumë, por do të vazhdojë të vegojë faktet”.

Vendimi i Kembrixhit pason Fjalorin Kollins që si fjalë të vitit zgjodhi “AI”-në. /Telegrafi/