LAJMI I FUNDIT:

Halimi: Duhet t’u ofrohet perspektivë qytetarëve që në mendje e kanë ikjen nga Kosova

Studiuesi i emigrimit Kapllan Halimi në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se Qeveria e re duhet të ketë një ofertë atraktive shumë sektoriale, në mënyrë që t’iu ofrohet qytetarëve një perspektivë që në mendje e kanë ikjen nga Kosova.

Halimi duke folur për emigrimin, thotë se fokusi duhet të jetë te ata qytetarë që të hyrat i kanë mjaftë të ulëta.


“Duhet të ofrohet perspektivë për të gjithë ata qytetarë që në mendje e kanë ikjen. Ose në mungesë të informacionit ose në mungesë të ofertës atraktive, qytetarët janë të dëshpëruar nga ajo se çfarë iu ofrohet, sidomos në zonat e thella rurale. Qeveria duhet të ketë një ofertë atraktive shumë sektoriale, e që duhet të trajtohen të gjithë, pra mos të trajtohet vetëm një kategori e cila ka një stabilitet financiar, por duhet të ketë fokus mjaftë të madh për atë kategori që të hyrat financiare në ditë i kanë më pak se dy euro”, thotë Halimi.

Ai tregon se sistemi arsimor në Kosovë nuk ofron fuqi punëtore të kualifikuar dhe për këtë qeveria duhet të ofrojë trajnime kualifikuese në mënyrë që t’i përshtaten tregut vendor dhe atij ndërkombëtar.

Studiuesi i emigrimit Kapllan Halimi: Jo gjithmonë ata që ikin jashtë Kosovës e marrin atë që ëndërrojnë
Lexo po ashtu Studiuesi i emigrimit Kapllan Halimi: Jo gjithmonë ata që ikin jashtë Kosovës e marrin atë që ëndërrojnë

“Edhe sistemi edukativ apo arsimor në Kosovë është fatkeqësisht në nivel shumë të ulët dhe ne nuk ofrojmë fuqi punëtore të kualifikuar, ku shumë kompani në vend ankohen për fuqi të kualifikuar. Kështu që Qeveria në planet dhe aktivitetet e tyre duhet të ketë dhe trajnime të shpeshta kualifikuese, të rrisin kompetencën e këtyre njerëzve që të përgatiten për treg, pra për kompanitë tona vendore, por të ofrojë mundësi edhe për kompetencë humane që kompanitë e huaja të mund të investojnë në Kosovë apo mund të kenë një kapital human, me të cilin gjatë investimit nuk do të kenë telashe në gjetjen e njerëzve për të punuar”, shpjegon ai.

Gjithashtu, Halimi në këtë intervistë ka thënë se të gjithë ata qytetarë që largohen nga Kosova drejt vendeve të Evropës Perëndimore nuk e marrin atë që e synojnë dhe ëndërrojnë. /Telegrafi/