LAJMI I FUNDIT:

Hakerët “hakmerren” për vdekjen e Alexei Navalnyt

Hakerët “hakmerren” për vdekjen e Alexei Navalnyt

Pak orë pas vdekjes së liderit opozitar rus, Alexei Navalny, një grup hakerësh anti-Kremlin nisën të hakmerreshin.

Duke përdorur qasjen e tyre në një rrjet kompjuterik të lidhur me sistemin e burgjeve të Rusisë, hakerët vendosën një foto të Navalnyt në faqen e internetit të burgut.

“Rroftë Alexei Navalny”, thuhej në mbishkrimin e fotos.

Gjithashtu, ata njoftuan se kanë vjedhur një bazë të dhënash që përmbajnë informacione për qindra mijëra të burgosur rus dhe të afërmit e tyre, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

Bëhet e ditur se hakerët po i ndajnë këto të dhëna duke përfshirë numrat e telefonit dhe email-at e të burgosurve dhe të afërmve të tyre “me shpresën se dikush mund t’i kontaktojë ata dhe t’i ndihmojë të kuptojnë se çfarë saktësisht ka ndodhur me Navalnyn”.

Elon Musk vjen me një parashikim të pakëndshëm për Kievin - me siguri do të nxisë reagime në Ukrainë
Lexo po ashtu Elon Musk vjen me një parashikim të pakëndshëm për Kievin - me siguri do të nxisë reagime në Ukrainë

Ata pretendojnë se baza e të dhënave që kanë në dorë përmban informacione për rreth 800 mijë të burgosur dhe të afërmit e tyre.

Përveç kësaj, hakerët kanë përdorur qasjen e tyre edhe për të ndryshuar çmimet e ushqimeve të dyqanit rus të të burgosurve.

“Hakerët qartazi kanë qasje për t’i marrë të gjitha”, tha eksperti i sigurisë kibernetike, Tom Hegel.

Këto veprime janë shoqëruar me një mesazh nga emigrantë të përshkruar si rusë.

“Ne, specialistët e IT-së, u larguam nga Rusia e sotme. Ne e duam vendin tonë dhe do të kthehemi kur të çlirohet nga regjimi i Putinit”, thotë mesazhi.

Ndryshe, Navalny vdiq në rrethana misterioze më 16 shkurt në një burg në rajonin Yamalo-Nenets në verilindje të Moskës. Përgjegjës për vdekjen e tij, SHBA-ja e konsideron presidentin rus, Vladimir Putin.

Në shenjë hakmarrjeje për vdekjen e tij por edhe për pushtimin e territoreve ukrainase nga Rusia, hakerë nga vende të ndryshme janë bashkuar dhe kanë filluar të funksionojnë si një grup i vetëm që nga fillimi i luftës. /Telegrafi/