Hajrullahu: Ajo që po ndodh në Kuvend është joserioze

Muhamet Hajrullahu njohës politik, ka folur për situatën politike në vend, veçmas pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ai tha se është paksa e çuditshme mënyra e komentimit nga partitë politike ndaj këtij aktgjykimi, duke thënë se po shohim dy qëndrime të barrikaduara, teksa shtoi se mbi 50 organizata të shoqërisë civile u kanë bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të mos bojkotojnë më tutje seancat.
Hajrullahu tha se LVV po e interpreton aktgjykimin sipas mënyrës së vet, duke thënë se votimi i fshehtë nuk është kundërkushtetuese dhe që mund të procedohet me votim të fshehtë, ndërsa partitë tjera e mohojnë këtë interpretim.
Sipas tij, përgjegjësia për konstituim të Kuvendit bie mbi partinë fituese, pra LVV, por edhe partitë opozitare të deridjeshme, shtoi Hajrullahu, do të duheshin ofruar ide për dalje nga ngërçi politik.
”Ajo që po shihet duke ndodhur në Kuvendin e Kosovës është joserioziteti”, tha Hajrullahu, teksa shtoi se "po bëhen gjashtë muaj pa institucione përgjegjëse, me qeveri në detyrë, me Kuvend jofunksional, dhe nesër po qe se dështon konstituimi i Kuvendit do të jetë katastrofale për Kosovën”, tha ai në magazinën "Info Plus" në RTK.
Hajrullahu theksoi se kryeministri në detyrë po shkon në takim me përfaqësuesen e lartë të BE-së, pa institucione të krijuara, pikërisht në kohën kur Kosovës i duhen fonde zhvillimore, derisa sipas tij, ai takim atje nuk do të ketë efekt për Kosovën derisa nuk kemi konstituim të Kuvendit.


















































