Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga Zëvendësguvernatorja Nesrin Shileku-Shala dhe bashkëpunëtorë, gjatë vizitës zyrtare në Washington D.C., zhvilloi një takim me Drejtorin e Departamentit Evropian në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), Alfred Kammer.

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili e informoi Kammer mbi zhvillimet më të fundit në sektorin financiar të Kosovës, duke përfshirë progresin në avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative me synim forcimin e qëndrueshmërisë dhe integritetit të sistemit financiar. Ai gjithashtu prezantoi zhvillimet makroekonomike dhe progresin në implementimin e reformave strukturore, në përputhje me Planin Strategjik të BQK-së.


cbkgovernor imfkammer 02

Kammer vlerësoi progresin e arritur nga BQK në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet FMN-së dhe Kosovës, sidomos në fushat që ndihmojnë zhvillimin ekonomik dhe forcimin e funksionimit të sistemit financiar.

Guvernatori Ismaili vuri në dukje përfundimin me sukses të dy instrumenteve kyçe të bashkëpunimit me FMN-në – Marrëveshjes Stand-By (SBA) dhe Instrumentit për Reziliencë dhe Qëndrueshmëri (RSF) – të cilat kanë kontribuar ndjeshëm në zbatimin e reformave fiskale dhe strukturore, si dhe në ruajtjen e stabilitetit ekonomik të vendit.

Në diskutim u trajtuan gjithashtu masat konkrete të ndërmarra nga BQK për të fuqizuar kapitalizimin dhe reziliencën e sektorit bankar, në kontekstin e zhvillimeve të reja ekonomike dhe gjeopolitike globale.

Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së nëpërmjet asistencës teknike dhe programeve të ndryshme, të cilat kanë ndihmuar në forcimin e kapaciteteve institucionale të BQK-së.

Në përfundim, të dyja palët riafirmuan përkushtimin për të vazhduar bashkëpunimin në funksion të përmbushjes së objektivave të përbashkëta për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe ruajtje të stabilitetit financiar në Kosovë.