Guvernatori Ismaili: PECK III ka transformuar qasjen mbikëqyrëse të BQK-së drejt standardeve evropiane

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili mori pjesë si folës në konferencën përmbyllëse të Projektit Kundër Krimit Ekonomik (PECK III) të Këshillit të Evropës, i cili theksoi se përmbyllja e shënon një moment të rëndësishëm për forcimin e integritetit financiar, transparencës dhe sundimit të ligjit në vend.
Rezultatet kanë ndikuar drejtpërdrejt në modernizimin e qasjes mbikëqyrëse të BQK-së dhe në përafrimin e kornizës rregullatore me standardet evropiane.

Guvernatori Ismaili nënvizoi se PECK III nuk ka qenë thjesht mbështetje teknike, por një partneritet strategjik që ka forcuar kapacitetet institucionale për luftimin e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe rritjen e integritetit të sistemit financiar.
Ai u ndal në transformimin e rëndësishëm të filozofisë së mbikëqyrjes, duke kaluar nga një model formal i pajtueshmërisë në një qasje të plotë të bazuar në vlerësimin e rrezikut.
Sipas tij, kjo qasje e re është thelbësore për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

Po ashtu, Guvernatori Ismaili tha se BQK-ka falë mbështetjes së PECK III, ka avancuar dukshëm në modernizimin e kornizës së vlerësimit të rrezikut, ka integruar teknologji të reja mbikëqyrëse dhe ka finalizuar një manual gjithëpërfshirës për mbikëqyrjen e bazuar në rrezik, duke përfshirë edhe sektorin e aseteve virtuale.
Një ndër rezultatet kryesore është miratimi i Rregullores së re AML/CFT, e harmonizuar me standardet e BE-së dhe FATF, e cila shënon një hap të rëndësishëm në përgatitjen e Kosovës për procesin SEPA.
Po ashtu, është harmonizuar Rregullorja për informacionin që shoqëron transfertat e fondeve me kërkesat e BE-së, duke rritur gjurmueshmërinë dhe transparencën e transfereve me asete virtuale. Po ashtu, bashkëpunimi ndërinstitucional është intensifikuar ndjeshëm, duke forcuar zbatimin e rregullit të udhëtimit dhe integritetin e tregut financiar.

Guvernatori Ismaili tutje theksoi se këto rezultate vendosin një bazë të qëndrueshme për vlerësimin e ardhshëm nga MONEYVAL, i cili do të jetë një test i rëndësishëm për integritetin financiar të Kosovës.
Në përmbyllje të adresimit, Guvernatori Ismaili theksoi se BQK-ja mbetet plotësisht e përkushtuar për të thelluar reformat strukturore në sistemin financiar, për të avancuar përputhshmërinë me standardet e BE-së dhe ato globale, dhe për të garantuar stabilitet të qëndrueshëm, integritetin dhe sovranitetin monetare dhe financiar të vendit. Ai shprehu mirënjohje për Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës dhe të gjithë partnerët që kanë kontribuar në këtë proces transformues, duke nënvizuar rëndësinë e vazhdimit të këtij bashkëpunimi në fazat e ardhshme.
Ndërsa në vazhdimësi të punimeve, u diskutua edhe për rolin e BQK-së në projektin PECK III. Në këtë panel diskutimi, Udhëheqësi i Divizionit për Pajtueshmëri PPP/LFT, z. Ilir Hasani diskutoi lidhur për forcimin e regjimit kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, progresi, sfidat dhe mësimet e nxjerra nga ky projekt.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës riafirmon se mbrojtja e integritetit financiar dhe forcimi i mbikëqyrjes së bazuar në rrezik mbeten prioritete kyçe, në funksion të një sistemi financiar modern, të sigurt dhe të besueshëm për qytetarët dhe ekonominë e vendit.

















































