Ishulli i Sazanit, një nga pasuritë natyrore më të veçanta të Shqipërisë, është në qendër të një projekti gjigand për turizmin ultra-luksoz, të udhëhequr nga Ivanka Trump dhe Jared Kushner.

Media britanike “The Guardian” i ka kushtuar një shkrim Sazanit, një ishull i egër mesdhetar, që për vite me radhë ka qenë zonë e ndaluar, e përdorur nga regjimi komunist si bazë ushtarake.


Përmbledhje e shkrimit të “The Guardian”

Ishulli është pjesë e Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan dhe streha e shumë specieve të rralla.

Po punoj me bashkëshortin tim… kemi këtë ishull prej 1,400 hektarësh në Mesdhe. Do të jetë diçka e jashtëzakonshme”, u shpreh Ivanka Trump në një intervistë.

Sipas Jared Kushner, që e vizitoi për herë të parë në vitin 2021, Sazani është një “thesar i pazhvilluar”, ndërsa në korrik 2024 ai deklaroi se “po krijojmë resortin ideal, ku do doja të isha me familjen dhe miqtë e mi.”

Zhvillimi do të realizohet nga kompania Affinity Partners dhe projekti përfshin një hotel luksoz, marinë për jahte dhe struktura të integruara në natyrë.

Ndërtesat do të jenë të përthithura nga natyra, sikur të ishin pjesë e saj,” tha drejtuesi i Affinity Partners.

Megjithatë, ky projekt ka ngjallur shqetësime të mëdha nga ambientalistët.

Olsi Nika nga organizata EcoAlbania paralajmëron për dëmet e mundshme në biodiversitetin e zonës së mbrojtur:

Çfarë do t’i bëjnë këtij vendi ndërtimet, trafiku i jahteve dhe shkarkimi i ujërave të zeza?

Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, e mbrojti marrëveshjen, duke thënë se Shqipëria ka nevojë për turizëm me cilësi të lartë, jo me volum masiv: “Sazani është rruga e duhur. Receta ideale: natyrë dhe turizëm luksoz.

Kryeministri Edi Rama e ka quajtur projektin “një dhuratë për Shqipërinë” dhe një mjet për të afruar vendin me Perëndimin, duke theksuar se “turizmi luksoz është ujë për shkretëtirën tonë.”

Sipas marrëveshjes, shteti shqiptar përfiton nga infrastruktura që do ndërtohet – ndërkohë që Affinity përfiton lehtësi fiskale dhe akses të plotë në ishull.

Sazani mbetet ende nën kontrollin e ushtrisë shqiptare. Lejtënant Arbër Celaj tha se ishulli është plot me municione të pashpërthyera, trashëgimi nga vitet ’90, kur depot e armëve u plaçkitën. Në ishull ndodhen mbi 3,600 bunkerë, një pjesë e të cilëve do të ruhet si pjesë e projektit./RTSH