LAJMI I FUNDIT:

Grusht-shteti në Sudan, vijnë reagimet e para nga OKB, BE, si dhe Liga Arabe

Grusht-shteti në Sudan, vijnë reagimet e para nga OKB, BE, si dhe Liga Arabe

Ushtria e Sudanit ka vendosur në arrest shtëpie kryeministrin Abdalla Hamdok pasi e zhvendosi atë në një vend të panjohur për refuzimin për të mbështetur një grusht shteti, sipas ministrisë së informacionit.

Ndërkohë, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, pati raportime për arrestimin e pesë figurave të tjera të larta të qeverisë, duke përfshirë ministrin e industrisë Ibrahim al-Sheikh, ministrin e informacionit Hamza Baloul dhe Mohammed al-Fiky Suliman, anëtar i organit kalimtar qeverisës të vendit, i njohur si Këshilli Sovran, si dhe Faisal Mohammed Saleh, një këshilltar për media i Hamdok dhe Ayman Khalid, guvernator i shtetit që përmban Khartoum.


Sudani ka qenë në rrezik që kur një komplot i dështuar për grusht shteti muajin e kaluar shkaktoi akuza të hidhura midis grupeve ushtarake dhe civile që synonin të ndanin pushtetin pas përmbysjes së liderit afatgjatë të vendit Omar al-Bashir.

Dhe pas kësaj, kanë ardhur reagimet e para nga organizata ndërkombëtare.

Në këtë drejtim, Kombet e Bashkuara kanë thënë se ndalimi i liderëve civilë nga forcat sudaneze të sigurisë, përfshirë kryeministrin Abdalla Hamdok, ishte “i papranueshëm”.

“Jam thellësisht i shqetësuar për raportet për një grusht shteti të vazhdueshëm dhe përpjekjet për të minuar tranzicionin politik të Sudanit. Ndalimet e raportuara të kryeministrit, zyrtarëve qeveritarë dhe politikanëve janë të papranueshme”, tha Volker Perthes, përfaqësuesi special i OKB-së në Sudan.

Grusht-shtet në Sudan? Ushtria arreston kryeministrin, ministrat dhe të tjerë anëtarë të qeverisë kalimtare
Lexo po ashtu Grusht-shtet në Sudan? Ushtria arreston kryeministrin, ministrat dhe të tjerë anëtarë të qeverisë kalimtare

“U bëj thirrje forcave të sigurisë që menjëherë të lirojnë ata që janë ndaluar në mënyrë të paligjshme ose janë vendosur në arrest shtëpiak”, tha ai në një deklaratë në Twitter.

Veç OKB-së, edhe Liga Arabe ka lëshuar një deklaratë “shqetësimi të thellë” për grushtin e shtetit të dukshëm ushtarak në Sudan, përcjell Telegrafi.

Sekretari i Përgjithshëm i bllokut prej 22 anëtarësh, Ahmed Aboul Gheit, u bëri thirrje të gjitha palëve që të “respektojnë plotësisht” deklaratën kushtetuese të nënshkruar në gusht 2019, e cila kishte për qëllim të hapte rrugën për një tranzicion drejt sundimit civil dhe zgjedhjeve demokratike.

“Nuk ka probleme që nuk mund të zgjidhen me dialog”, tha Aboul Gheit. “Është e rëndësishme të respektohen të gjitha vendimet dhe marrëveshjet që u vendosën… duke u përmbajtur nga çdo masë që do të prishte periudhën e tranzicionit dhe do të trondiste stabilitetin në Sudan”.

Një reagim rreth zhvillimeve të fundit në Sudan ka ardhur edhe nga Bashkimi Evropian, institucion që ka shprehur shqetësim të madh për një kontroll të mundshëm ushtarak në Sudan.

Shefi i Punëve të Jashtme të BE-së, Josep Borrell tha në Twitter se ai po ndjek ngjarjet në vendin e Afrikës verilindore me “shqetësimin më të madh”.

“BE u bën thirrje të gjitha palëve të interesuara dhe partnerëve rajonalë që të rikthejnë në rrugën e duhur procesin e tranzicionit”, ka shkruar Borrell. /Telegrafi/