Grupi BALFIN zgjeron aktivitetin në pasuritë e paluajtshme, flet Zëvendëspresidentja Sokoli

Grupi BALFIN, me zyrat qendrore në Tiranë por me aktivitet në dy kontinente, po zgjeron gjurmën në industrinë e zhvillimit të pasurive të paluajtshme jashtë Shqipërisë.
Në një video të publikuar së fundmi në rrjetet sociale, Zëvendës Presidentja e Grupit BALFIN për Pasuritë e Paluajtshme, Ardiana Sokoli, tregon për strategjinë e grupit dhe planet që ka në horizont në këtë industri.
Cila është qasja e BALFIN në industrinë e zhvillimit të pasurive të paluajtshme?
Ne punojmë në mënyrë të përkushtuar për të zhvilluar projekte të mëdha dhe të qëndrueshme që krijojnë vlera në afatgjatë. Mund të them se fokusi ynë mbështetet mbi tre drejtime kryesore: zgjerimi në tregje të reja, prezantimi i koncepteve inovative dhe qëndrueshmëria socio-mjedisore në themel të çdo projekti që merr jetë.

Si po transformohet portofoli i pasurive të paluajtshme të Grupit BALFIN?
Që nga viti 2002, portofoli ynë është transformuar nga godina kryesisht për banim në ato më të përbëra që ofrojnë edhe shërbime. Sot Grupi zhvillon projekte ku kombinohet jetesa, tregtia, hoteleria dhe argëtimi. Këto janë projekte të cilat sot janë destinacione unike dhe elitare. Ky rrugëtim pasqyron më së miri angazhimin tonë për të patur një portofol gjithnjë e më të larmishëm, në përputhje me nevojat e tregut dhe duke prezantuar përherë koncepte reja.
Si po ndikon qëndrueshmëria në pasuritë e paluajtshme në ditët e sotme?
Ndërgjegjësimi për rëndësinë që ka përkujdesja ndaj mjedisit dhe komponentit social po rritet me ritme të shpejta dhe kjo gjë na gëzon. Të shohësh gjithnjë e më shumë klientë dhe partnerë që përqafojnë standardet mjedisore është si një vlerësim për punën që kemi bërë gjithë këto vite. Ky është një motivim për ne që të vijojmë në këtë drejtim duke integruar këto standarde në çdo projekt të ardhëm. Ne kemi si qëllim që të vijojmë të jemi në pararojë të zhvillimeve të qëndrueshme në pasuritë e paluajtshme.
Çfarë kemi në horizont?
Aktualisht, investimet tona më të mëdha janë në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Austri, Kanada dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë jemi duke vlerësuar mundësi për projekte të reja në Greqi dhe Itali. Duke parë drejt të ardhmes, fokusi ynë mbetet i pandryshuar për projekte që sjellin risi për komunitetet ku zhvillohen, prezantojnë standarde të reja në ndërtim, kanë ndikim të shtrirë në kohë dhe krijojnë vlera.















































