Gjithçka filloi nga vizitat që bënte tek të afërmit, në periudhën e pasluftës në Kosovë.

Gjatë këtyre momenteve, Lajde Kajtazi- Kolgjeraj, ka hasur në shumë të moshuara dhe gra që kanë filluar t’i humbin apo edhe t’i djegin veshjet popullore.


Fjalët më të shpeshta që i dëgjoi ajo ishin “ato nuk na duhen më, kemi veshje moderne tashmë, po na mbushin shtëpinë me gjëra të panevojshme” .

“Më dhimbte shpirti nga kjo gjendje, atëherë fillova t’i grumbulloj veshjet popullore, gjithmonë iu thosha nëse keni me i humbur dhe keni veshje që nuk ju duhen sillni tek unë”.

Kësisoj 50 vjeçarja, qe plot 18 vjet koleksionon veshjet popullore të grave të krahinës së Hasit të Prizrenit.

2 2

“Të gjitha veshjet popullore në koleksionin tim i kam vetëm të krahinës së Hasit, konkretisht kam më tepër veshje të grave të Hasit të besimit katolik që janë bartur në Zym, Shën Gjergj dhe Breg Drini”.

Kajtazi-Kolgjeraj tregon për klankosova.tv se ka gati pesë arka të mbushura me veshje popullore për të cilat ka ndarë një dhomë të veçantë në shtëpinë e saj.

“I kam të palosura, jo të ekspozuara. Kohë pas kohe i shikoj mos janë dëmtuar. Më mungon një hapësirë më e madhe për to, qoftë për t’i ekspozuar apo edhe për mirëmbajtje. Po shpresoj që në të ardhmen do ta bëjë një hapësirë që i përmbushë nevojat e mirëmbajtes si dhe të ekspozimit”, tha ajo.

Ajo thotë se tani është e vështirë të bëhet një veshje siç kanë qenë ato të para 30 e 50 vitesh, sepse sipas saj ka ndryshuar materiali i veshjeve.

3 2

Kolgjeraj thekson se të gjitha rrobat në koleksionin e saj janë të veçanta në natyrën e vet, mirëpo motivet në to apo edhe vet historia që lidhet me to i bënë të kenë një vend akoma më të veçantë në koleksionin e saj.

“Të gjitha e kanë atë të veçantën e vet, estetikën e vet! Por meqenëse unë kam në koleksion vetëm veshje të krahinës së Hasit atëherë mund t’i theksoj disa të parapërlqyera që i kam, për shembull “Jeleku i ngrimë i mirë për nuse”, gujën me dallamë me sumblla, dallëm, rendëse aksesor të trashëguar nga gjyshja, dyshek i shtratit”, deklaroi koleksionistja e veshjeve nga Hasi i Prizrenit.

50 vjeçarja tregon se ndonjëherë as vet nuk do ia kishte ditur vlerën këtyre veshjeve nëse nuk kishte marrë reagimin dhe vlerësimin e të tjerëve për punën që ka bërë. Këto veshje ajo i ka shfaqur para audiencës në kuadër të disa projekteve.

4 2

“Deri më tani disa herë i kam shfaqë një pjesë të tyre, në “Etnofest 2017”, në dy projekte të OJQ “Dardania”, ekspozita me veshje popullore në “Takimet e Gjeçovit 2017”.  Gjithashtu kam pas mbështetjen edhe nga Fondacioni “Unë e Du Kosovën” të cilët edhe e promovuan mjaftë shumë koleksionin e veshjve”, tha Kolgjeraj për Klan Kosovën.

Një pjesë të tyre zonja në fjalë i përdorë edhe për për Ansamblin Etno-Kulturor “Katarina Josipi” të cilin ajo e drejton.

Vlerësimi i të tjerve mbetet motiv akoma për punën e saj, Lajde shpreson që  të ardhem të realizon një ekspozitë vetëm me veshje të Hasit, njofton Klan Kosova.