Greqia fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian në basketboll, pasi mposhtën Finlandën me rezultatin e ngushtë 92:89.

Grekët nisën fuqishëm dhe dominuan në të dyja anët e fushës që nga fillimi i ndeshjes, duke krijuar një epërsi prej nëntë pikësh pas çerekut të parë. Ritmi i lojës mbeti i njëjtë deri në pushim, me rezultatin 48:34 për helenët.


Në pjesën e dytë, Finlanda reagoi duke ndalur sulmin e Greqisë, por para çerekut të fundit grekët ende ruanin një avantazh të madh prej 13 pikësh. Megjithatë, fundi solli dramë të vërtetë: finlandezët shfaqën lojë të fuqishme në sulm dhe kërcënuan fitoren e Greqisë, por nuk patën forcën dhe kohën e mjaftueshme për një përmbysje sensacionale.


Më i miri i ndeshjes ishte Giannis Antetokounmpo, i cili shkëlqeu me një double-double prej 30 pikësh dhe 17 ribaundesh. Ai u mbështet nga Tyler Dorsey, që kontribuoi me 20 pikë.

Te Finlanda, Lauri Markkanen realizoi gjithashtu një double-double me 19 pikë dhe 10 ribaunde, ndërsa Valtonen shtoi 18 pikë, por kjo nuk mjaftoi për të ndalur Greqinë.


Për t’u kujtuar se ndeshja finale për medaljen e artë dhe titullin e kampionit të botës do të zhvillohet nga ora 20:00, ku do të përballen Gjermania dhe Turqia. /Telegrafi/

telegrafi sport app