Pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump se kishte një lidhje midis marrjes së Tylenol (acetaminofen) gjatë shtatzënisë dhe çrregullimit të spektrit të autizmit, gratë shtatzëna filluan të postonin video në rrjete sociale ku shfaqeshin duke marrë qetësuesin e dhimbjeve.

Shumë prej tyre thanë se nuk donin të merrnin këshilla mjekësore nga një president që nuk ka diplomë mjekësore, dhe shumë mjekë u pajtuan me to, shkruan Newsweek.




Trump sugjeroi gjatë një fjalimi në Shtëpinë e Bardhë se acetaminofeni, përbërësi aktiv në Tylenol, mund të lidhet me shkallë më të larta të autizmit në SHBA, megjithëse ekspertët thonë se lidhja mbetet e pavërtetuar.

Ekspertët mjekësorë thonë se mesazhi i presidentit nuk është vetëm "i dëmshëm", por as nuk mbështetet nga "gama e plotë e provave shkencore".

"Donald Trump është personi i fundit që do t'i besoja kur bëhet fjalë për këshilla mjekësore", tha Dr. Lucy McBride, duke shtuar se Tylenol është një nga ilaçet e pakta që gratë shtatzëna lejohen të marrin për të ulur temperaturën e lartë, e cila mund të jetë e rrezikshme si për nënën ashtu edhe për foshnjën.

Deklarata bëri jehonë jashtë SHBA-së, me Ministrin Britanik të Shëndetësisë Wes Streeting që këshilloi gratë shtatzëna në Mbretërinë e Bashkuar të "mos i kushtojnë vëmendje asaj që thotë Donald Trump për mjekësinë".

Tani, një numër videosh po qarkullojnë në rrjete sociale, veçanërisht X dhe TikTok.



Në njërën prej tyre, një grua regjistron veten duke marrë Tylenol me mbishkrimin: "Ja ku jam, SHTATZËNË, duke marrë TYLENOL sepse i besoj shkencës, jo dikujt që nuk ka diplomë mjekësore.”

Një përdoruese tjetër, aileenbystronova, postoi një video duke iu referuar Elon Musk dhe Mark Zuckerberg, të cilët zbuluan se ishin autikë, dhe shkroi: "Po marr Tylenol sapo zbulova se isha shtatzënë sepse e gjithë kjo çështje e autizmit duket se po funksionon mirë për Markun, Elonin dhe të gjithë miliarderët e tjerë të teknologjisë."

Ndryshe, deklarata e Trump ka shkaktuar një përçarje të mprehtë në internet.

Ndërsa disa, përfshirë mjekët, kanë shprehur shqetësim për ndikimin e mundshëm të fjalëve të tij, të tjerë kanë kritikuar gratë shtatzëna.

Mjekët paralajmërojnë se ethet e larta gjatë shtatzënisë lidhen me një rrezik në rritje të defekteve të lindjes dhe se shmangia e Tylenol mund të çojë në "zhvillim neurologjik të fetusit". /Telegrafi/