Gola dhe spektakël, Reali triumfon ndaj Dortmundit (Video)

Real Madridi e ka fituar ndeshjen e prestigjit ndaj Borussia Dortmundit (3-2), për ta mbyllur fazën grupore të Ligës së Kampionëve me katër fitore, një barazim dhe një humbje.
Skuadra nikoqire pati një fillim të furishëm duke i shënuar dy gola të shpejtë në minutat e para të sfidës që u zhvillua në Santiago Bernabeu.
Pas një aksioni të bukur, Cristiano Ronaldo pasoi në zonë, Isco vetëm e preku topin në drejtim të Borja Mayoral, i cili e futi në rrjetë (8').

Katër minuta më pas, CR7 bëri një lëvizje të mirë për të goditur nga jashtë zonës dhe e dyfishoi epërsinë (12'). Asistimi ishte i Mateo Kovacic.
Në minutat e fundit të pjesës së parë, Pierre-Emerick Aubameyang e ngushtoi rezultatin (43'). Ndërsa porsa filloi gjysma e dytë, i njëjti futbollist shënoi një gol të bukur duke e paraboluar portierin kundërshtar (49').

Të zgjedhurit e Zinedine Zidane nuk u pajtuan me barazim dhe e kërkuan vazhdimisht golin, të cilin e arritën përmes Lucas Vazquez (81').
Në minutat e fundit, Mbretërit bënë presion të vazhdueshëm duke kërkuar edhe gola të tjerë, mirëpo nuk u treguan efektivë.

Takimi tjetër i Grupit H ka përfunduar me fitoren e Tottenham Hotspur (3-0) kundër APOEL Nicosias.
Në këtë mënyrë, nga Spursat vazhdojnë në fazën e eliminimit direkt nga vendi i parë në grup, Real Madridi vazhdon nga pozita e dyta, kurse Borussia Dortmundi do të luajë në Ligën e Evropës. /Telegrafi/
https://www.dailymotion.com/video/x6b82a6
https://www.dailymotion.com/video/x6b80na
https://www.dailymotion.com/video/x6b81oq
https://www.dailymotion.com/video/x6b82ie
https://www.dailymotion.com/video/x6b83zj





















































