Sulmuesit të Crystal Palace, Ismaila Sarr, iu anulua një gol në ndeshjen kundër Tottenham pas një vendimi të diskutueshëm të VAR-it në Ligën Premier.

Sarr dukej se kishte shënuar golin e parë për skuadrën e tij në minutën e 29-të, pasi depërtoi drejt portës dhe realizoi me një goditje që u devijua para se të përfundonte në rrjetë.


Megjithatë, pas golit ndërhynë zyrtarët e VAR-it për të kontrolluar pozicionin e tij në momentin e aksionit. Pas një verifikimi të gjatë me vijat e teknologjisë, u konstatua se hunda dhe një pjesë e fytyrës së Sarr ishin në pozicion jashtë loje gjatë ndërtimit të aksionit.


Për këtë arsye, goli u anulua, vendim që shkaktoi pakënaqësi te trajneri i Crystal Palace, Oliver Glasner.

Megjithatë, “Shqiponjat” reaguan fuqishëm në pjesën e parë. Edhe pse ishin në disavantazh 1-0, ato përmbysën rezultatin në 3-1.


Sarr realizoi nga penalltia, ndikoi në përjashtimin me karton të kuq të mbrojtësit të Tottenhamit, Micky van de Ven, dhe më pas shënoi edhe një gol tjetër nga loja e hapur para përfundimit të pjesës së parë. /Telegrafi/

telegrafi sport app