Gjykata Kushtetuese rrëzon Ligjin për KPM-në

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim për shfuqizimin e Ligjit për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), duke e shpallur atë në kundërshtim me Kushtetutën.
Ky ligj ishte kontestuar nga deputetë të legjislaturës së kaluar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të cilët kishin dorëzuar kërkesat për vlerësim të kushtetutshmërisë në Gjykatë.
Sipas njoftimit zyrtar, pesë nene të Ligjit për KPM-në janë gjetur në kundërshtim me Kushtetutën, konkretisht me nenin 7 për Vlerat dhe nenin 141 që rregullon Komisionin e Pavarur të Medieve.
Nenet në fjalë përfshijnë:
Nenin 15, paragrafët që rregullojnë zgjedhjen e anëtarëve të KPM-së;
Nenin 18, dispozitat për shkarkimin e kryetarit dhe anëtarëve të KPM-së;
Nenin 25, që lidhet me lejet e transmetimit dhe ripërtëritjen e tyre;
Nenin 43, për rregullimin e pronësisë së të licencuarve/regjistruarve;
Nenin 60, që përmban sanksionet me gjobë.
Gjykata vendosi njëzëri që Ligji për KPM-në të shfuqizohet dhe kërkesat për masë të përkohshme të refuzohen.
ARSYETIMI
Sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, pesë nene të ligjit për KPM-në bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
Paragrafë të nenit 15 “Zgjedhja e anëtarëve të KPM-së, nenit 18 “Shkarkimi i kryetarit dhe anëtarit të KPM-së”, nenit 25 “Leja e transmetimit dhe ripërtëritja e tyre”, nenit 43 “Rregullimi i pronësisë së të licencuarave/regjistruarave” dhe të nenit 60 “Sanksionet me gjobë”, sipas vendimit janë në kundërshtim me Kushtetutën.
“Gjykata, njëzëri ka vendosur (i) të deklarojë kërkesat të pranueshme; si dhe (ii) të konstatojë se, nën-paragrafët 1.2 dhe 1.3 të paragrafit 1 të nenit 15 (Zgjedhja e anëtarëve të KPM) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me nenin 141 [Komisioni i Pavarur i Medieve] të Kushtetutës; (iii) të konstatojë se, nën-paragrafët 3.4 dhe 3.5 të paragrafit 3 të nenit 18 (Shkarkimi i Kryetarit dhe anëtarit të KPM-së) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 141 [Komisioni i Pavarur i Medieve] të Kushtetutës; (iv) të konstatojë se, nën-paragrafët 2.4 dhe 2.5 të paragrafit 2 të nenit 4 (Kompetencat e KPM-së), paragrafi 5 i nenit 25 (Leja e transmetimit dhe ripërtëritja e tyre) dhe paragrafi 2 i nenit 43 (Rregullimi i pronësisë së të licencuarave/regjistruarave) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (v) të konstatojë se, pika 1.2.1 dhe pika 1.2.24, e nën-paragrafit 1.2 të paragrafit 1 dhe pikat 1.3.5 dhe 1.3.6 të nën-paragrafit 1.3 të paragrafit 1 të nenit 60 (Sanksionet me gjobë) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (vi) të konstatojë se Ligji i kontestuar, shfuqizohet; si dhe (vii) të refuzojë kërkesat për masë të përkohshme"/Telegrafi/


















































