Gjykata Kushtetuese ka pezulluar sot më 12 dhjetor 2025 vendimet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ndalonin ushtrimin e detyrës nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Vendimi i marrë këtë të premte, e rikthen menjëherë në detyrë Ballukun, duke pezulluar efektet e masës ndaluese deri në përfundimin e gjykimit.


Gjykata Kushtetuese vendosi pranimin e ankimimit të bërë ndaj kësaj çështjeje dhe caktoi si datë për mbajtjen e seancës, 22 janarin e vitit 2026, ora 10:00. Kësisoj, GJK vendos në favor të kryeministrit Rama, i cili pretendoi se pushteti i drejtësisë ka ndërhyrë padrejtësisht në pushtetin ekzekutiv. Rama nënvizonte se nuk ka shembull në arenën ndërkombëtare ku një prokuror apo edhe një gjyqtar i shkallës së parë të vendosë pezullimin nga detyra të një anëtari të qeverisë.

Sipas njoftimit zyrtar, Mbledhja e Gjyqtarëve shqyrtoi paraprakisht çështjen e kërkuar nga Kryeministri Edi Rama, e cila lidhej me zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe GJKKO-së së Shkallës së Parë, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave.

Në njoftim theksohet se Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, vendosi pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025, të cilat kishin vendosur ndaj Ballukut masën ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”. Për pasojë, vendimi i GJKKO-së humbet efekt deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes.

Po ashtu, Gjykata vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike për shkak të interesit të lartë publik, duke thirrur si subjekte të interesuara SPAK-un, GJKKO-në, Kuvendin e Shqipërisë dhe Presidentin e Republikës.

U caktua gjithashtu data e seancës plenare publike: 22 janar 2026, ora 10:00, siç përcakton neni 27 i Rregullores së Gjykatës Kushtetuese në rastet kur pranohet pezullimi.

Vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese

Në datën 12.12.2025, Mbledhja e Gjyqtarëve e Gjykatës Kushtetuese mori në shqyrtim paraprak çështjen nr. 30 (K) 2025 të Regjistrit Themeltar, datë 21.11.2025, me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave. Shfuqizimi i vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e organizuar, për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë. Shfuqizimi i vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të GJKKO-së së Shkallës së Parë, për pjesën që ka disponuar për vazhdimin e zbatimit të masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë. Pezullimi i efekteve të vendimit deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese. Interpretimi i pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës, në kuptimin që “Anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale, që i njeh jo vetëm Kushtetuta këtij të fundit, por edhe legjislacioni procedural penal.“.

Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi:

Me shumicë votash, kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike për shkak të interesit të lartë publik që ka kjo çështje dhe thirrjen në cilësinë e subjekteve të interesuara të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës.
Me shumicë votash, pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, sipas nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës. Vendimi i pezullimit do të dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare.

Njëzëri, mospranimin e kërkesave të partisë “Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptar” dhe organizatës jofitimprurëse “Lëvizja për Mbrojtjen e të Drejtave Universale” për t’u përfshirë si palë ndërhyrëse. Mbledhja e Gjyqtarëve arriti në përfundimin se këto dy subjekte nuk justifikojnë interesin kushtetues, pasi mosmarrëveshja kushtetuese në shqyrtim ka të bëjë me konflikt kompetencash dhe në të marrin pjesë vetëm subjektet që janë në konflikt, në kuptimin që janë pjesë e organeve të ushtrojnë kompetencën kushtetuese për të cilën ka lindur konflikti.

Njëzëri, në zbatim të nenit 27, pika 3, të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, sipas së cilit në rast se pranohet kërkesa për pezullim, data e seancës plenare caktohet në datën më të afërt të mundshme, duke respektuar afatet procedurale të zbatueshme, caktimin e seancës plenare publike në datën 22.01.2026, ora 10:00.

Pezullimi i Ballukut dhe padia e Ramës

SPAK iu drejtua Gjykatës së Posaçme, e cila vendosi dy masa ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku: pezullimin nga posti dhe ndalimin e daljes jashtë Shqipërisë, si pjesë e hetimit për procedurat e tenderit të Tunelit të Llogarasë. Po e njëjta gjykatë caktoi “arrest shtëpie” për drejtuesin e ARRSH-së, Gentian Gjyli, dhe për drejtuesin e KESH-it, Erald Elezi, të dy të dyshuar si të përfshirë si anëtarë të komisionit që ka vlerësuar ofertat.

Ndërkohë, kryeministri Rama i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të hequr vendimin e pezullimit, duke argumentuar se GJKKO ka tejkaluar kompetencat. Sipas qeverisë, ky vendim cenon funksionimin e Këshillit të Ministrave dhe rolin kushtetues të kryeministrit për emërimin apo shkarkimin e ministrave. Qeveria pretendon se Balluku nuk mund të hiqet nga detyra përmes një mase sigurie, pasi si anëtare e kabinetit ekzekutiv ka status të barabartë me një deputet.