Gjiza para gjumit mund të përshpejtojë metabolizmin dhe të ndihmojë në dobësim

Një studim i ri tregon se një ushqim i pasur me proteina para gjumit mund të përshpejtojë metabolizmin, të ndihmojë rikuperimin e muskujve dhe të mbështesë procesin e dobësimit gjatë natës
Po sikur një ushqim i vogël në mbrëmje të ndihmojë në të vërtetë në ruajtjen e linjës trupore? Sipas një studimi të ri të publikuar në revistën Nutrition, konsumimi i gjizës para gjumit mund të nxisë metabolizmin, të ndihmojë rikuperimin e muskujve dhe madje të kontribuojë në humbjen e peshës ndërsa trupi pushon.
Teoria e përhapur është se ngrënia vonë gjatë natës rrit rrezikun e mbipeshës, sepse organizmi i ruan kaloritë si yndyrë. Por kjo nuk vlen për ushqimet e pasura me proteina, siç është gjiza e freskët, shpjegon nutricionisti Michael Ormsbee.
Ekipi i tij beson se konsumimi i dy lugëve gjizë rreth 30 minuta para gjumit mund të jetë i dobishëm dhe një alternativë më e mirë se shumë pije të tjera që konsumohen në mbrëmje, transmeton Telegrafi.

Profesori Ormsbee nga Florida State University thekson: “Deri tani kemi supozuar se ushqimi i plotë do të kishte efekt të ngjashëm me suplementet proteinike, por nuk kishim prova të qarta.”
Ky zbulim është i rëndësishëm sepse tregon se ushqimi natyral mund të ketë të njëjtin efekt si suplementet me proteina dhe u jep njerëzve më shumë mundësi për një ushqyerje të shëndetshme edhe para gjumit, pa pasur nevojë për “proteina nga qesja”.
Gjiza konsiderohet ushqim ideal para gjumit sepse është e pasur me proteina të quajtura kazeinë, të cilat lirohen ngadalë në trup. Kjo siguron furnizim të vazhdueshëm me aminoacide gjatë natës.
Kur konsumoni proteina, ato shpërbëhen në aminoacide, të cilat më pas përdoren nga organizmi për procese të ndryshme, si ndërtimi i muskujve dhe rregullimi i funksioneve të sistemit imunitar. /Telegrafi/




















































