Një akt i jashtëzakonshëm ndershmërie është regjistruar sot në Gjakovë, ku një qytetar vendosi të dorëzojë në polici një shumë të madhe parash që kishte gjetur në rrugë.

Qytetari Binak Neziri ka gjetur një çantë në rrugën “Tirana” të qytetit, në të cilën ndodheshin rreth 15 mijë euro para të gatshme.


Ai ka shkuar në Stacionin Policor të Gjakovës, ku e ka dorëzuar çantën dhe përmbajtjen e saj.

“Qytetari Binak Neziri nga Gjakova ka gjetur një çantë në rrugën “Tirana”, në të cilën ndodheshin para në vlerë rreth 15 mijë euro. Ai e ka dorëzuar çantën në Stacionin Policor të Gjakovës, ku pas procedurave të nevojshme, çanta dhe paratë janë kthyer tek pronari legjitim”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në një njoftim publik, Policia e Kosovës ka shprehur mirënjohje të veçantë për qytetarin Binak Neziri, duke vlerësuar lart gjestin e tij si një shembull frymëzues për të gjithë qytetarët.

“Veprimi i z. Neziri është dëshmi e vlerave të larta morale dhe qytetare. Ai ka treguar integritet dhe besim në institucionet tona, duke dhënë një shembull të rrallë në shoqërinë tonë”, thuhet në reagimin e Policisë së Kosovës. /Telegrafi/