Gjetet i vdekur në Parkun Inovativ në Prizren, viktima ishte punonjës

Një burrë 55-vjeçar është gjetur pa shenja jete në hapësirat e Parkut Inovativ në Prizren, i cili ndodhet në ish-kazermën ushtarake të qytetit.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili tha se viktima është me inicialet B.B. dhe se policia mori informatën për rastin rreth orës 13:35.
Sipas informacioneve të para, i ndjeri ishte i punësuar në atë park.
“Njësitë përkatëse policore kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimin e vendit, kanë mbledhur prova materiale dhe kanë marrë deklarata nga dëshmitarët,” ka deklaruar Bytyqi.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, me qëllim të përcaktimit të saktë të shkakut të vdekjes.
Policia ka iniciuar rastin si “Hetim i vdekjes” dhe është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje.




















































