Gjermania tejkalon SHBA-në si blerësi kryesor i kafesë braziliane

Gjermania u bë blerësi më i madh në botë i kafesë nga Brazili në vitin 2025, duke tejkaluar Shtetet e Bashkuara, të cilat ranë në vendin e dytë pas vendosjes së tarifave të larta të importit.
Gjermania importoi 5.4 milionë qese 60 kilogramëshe kafe braziliane vitin e kaluar, duke përbërë 13.5% të totalit të eksporteve të Brazilit, tha shoqata braziliane e eksportuesve të kafesë Cecafé.
SHBA-të, tradicionalisht klienti më i madh i kafesë në Brazil, ranë në vendin e dytë me importe prej 5.3 milionë qesesh, 33% më pak se një vit më parë.
Cecafé tha se rënia u nxit kryesisht nga tarifat e përkohshme deri në 50% të vendosura nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Drejtori i Cecafé, Márcio Ferreira, bëri të ditur se dërgesat në SHBA ranë me 55% gjatë periudhës nga fillimi i gushtit deri në fund të nëntorit, kur u vendosën tarifa të larta për të gjitha varietetet e kafesë braziliane.
Trump vendosi tarifat për një gamë të gjerë produktesh ushqimore braziliane në përgjigje të procedurave penale kundër ish-presidentit brazilian Jair Bolsonaro, një aleat politik i presidentit amerikan.
Bolsonaro është dënuar që atëherë dhe po vuan një dënim me burg prej më shumë se 27 vitesh për përpjekje për grusht shteti.
Ndërsa çmimet e ushqimeve në SHBA u rritën, Trump i tërhoqi kryesisht tarifat në nëntor.
Brazili thuhet se eksportoi gjithsej 40 milionë qese kafeje vitin e kaluar, rreth 20% më pak se një vit më parë.
Pavarësisht vëllimit më të ulët, të ardhurat nga eksporti u rritën me 24% në një rekord prej 15.5 miliardë dollarësh.
Ferreira tha se dërgesat më të dobëta pasqyruan gjithashtu rezerva më të ulëta pas eksporteve rekord një vit më parë dhe humbjeve të lidhura me motin, duke shtuar se çmimet më të forta globale e kompensuan më shumë se rënien.
Brazili është i vetmi vend prodhues që eksporton kafe në më shumë se 120 vende dhe përbën mbi një të tretën e tregut global.
Pas Gjermanisë dhe SHBA-së, blerësit kryesorë përfshijnë Italinë, Japoninë dhe Belgjikën. /Telegrafi/



















































