“Gjeneratat e ardhshme ‘Zajednicën’ veç me luftë mund ta shuajnë, e ‘Srpska’ po e bllokon Ushtrinë
Nga ana tjetër, ajo rrëfen se sa të shpeshta kanë qenë takimet e saj me policë, të cilët përveç buzëqeshjes dhe uratës për rrugë të mbarë, asgjë më shumë nuk i kanë thënë. E arratisur, ajo vazhdon të shfaqet në disa prej tubimeve të subjektit politik që i takon. Edhe pse është deputete në Kuvendin e Kosovës, besimi i saj në organet e drejtësisë është i barabartë me zero.
“Nuk dorëzohem”, është fjala që shpesh e përsërit.
Kjo është deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e cila thotë se arratia i ka dhënë edhe më shumë forcë e vullnet për të kundërshtuar sistemin Mustafa-Thaçi.
“Arsyeja se përse nuk kam marrë pjesë në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës dhe në manifestimin e opozitës, ka qenë për shkaqe organizative. Kështu kemi vendosur. Mirëpo, unë e kam vazhduar aktivitetin nëpër qendrat e ndryshme, duke mobilizuar qytetarët”, ka thënë ajo.
Haxhiu thotë se asnjëri nga deputetët e opozitës nuk është fshehur.
“Kemi strukturat kriminale në veri dhe pushteti po i tregon dhëmbët me opozitën, duke tentuar t’i arrestojë të gjithë deputetët e opozitës vetëm sa për ta ndalur kundërshtimin karshi marrëveshjeve të dëmshme. E keni parë edhe përndjekjen dhe mënyrën e arrestimit të deputetit Albin Kurit, pra njësoj sikur metodat putiniane dhe ato të regjimit të Millosheviqit”, shprehet deputetja e VV-së.
Ajo përmend dy kallëzime penale, kundër deputetit Armend Zemaj i cili gjuajti me gotë qelqi në drejtim të deputetëve të opozitës, pastaj ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të cilët, siç thotë, kidnapuan deputetin Albin Kurt.i
“Polici hetues në përndjekjen e opozitës është bashkëshorti i deputetes së PDK-së, Sevdije Halimi. Më pas, prokurorja që e ka rastin e katër deputetëve të opozitës është motra e një ish-deputeteje të LDK-së. Pastaj, kryetari i kolegjit të Gjykatës së Apelit është shumë i afërt me LDK-në. Të gjitha këto fakte dëshmojnë se ky proces është proces i përndjekjeve politike dhe përmes Prokurorisë po tentojnë që ta zmbrapsin opozitën”, thotë ajo.
Albulena Haxhiu deklaron se Qeveria e Kosovës nuk e ka ndërmarrë asnjë veprim në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Sipas saj, kjo Qeveri është formuar për ta themeluar Gjykatën Speciale që, sipas saj, “njollos përpjekjen çlirimtare ose luftën e popullit tonë”.
“Këto marrëveshje do të zhbëhen ose pas protestave gjithëpopullore që po planifikojmë t’i mbajmë në Prishtinë, ose do të rrëzohet Qeveria. Jam e bindur se njëra do të ndodh”, shprehet e bindur Haxhiu. “Ndoshta edhe gjeneratat e ardhshme do të kenë mundësi që ta zhbëjnë, por asnjëherë duke përdorur mjetet demokratike, përveçse me luftë. Zajednica nuk hiqet ndryshe përveçse me luftë. Dhe, luftën si do ta bëjmë përderisa Lista ‘Srpska’ na bllokon për ta formuar ushtrinë?”.
Haxhiu thotë se Kuvendi i Kosovës nuk ka legjitimitet dhe se asnjë ligj që është miratuar nuk është dashur të dekretohet.
“Presidentja ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës, pasi deputetët e opozitës nuk janë lënë të marrin pjesë në seancat e fundit plenare”, ka thënë ajo. “Kosova po ballafaqohet me probleme të shumta, qoftë me papunësi të madhe, varfëri të madhe, krim të organizuar dhe korrupsion, mirëpo ajo çka është më e rëndësishmja aktualisht është që të bëhemi të gjithë bashkë me qytetarët e Republikës së Kosovës dhe t’i kundërshtojmë këto marrëveshje që po tentojnë të na instalojë Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. Jemi shumë afër fitores”. /KosovaPress/Telegrafi/

















































