Gjenerali ushtarak amerikan i bën thirrje Hamasit të tërhiqet “plotësisht” dhe të çarmatoset “pa vonesë”

Gjenerali i lartë ushtarak amerikan të mërkurën i bëri thirrje Hamasit të tërhiqet “plotësisht” dhe të çarmatoset “pa vonesë”.
Shefi i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara (CENTCOM), Admirali Brad Cooper, bëri komentet e tij një ditë pasi dolën raportime nga enklava palestineze se militantët e Hamasit kishin ekzekutuar disa palestinezë, duke i akuzuar ata se ishin “të jashtëligjshëm” dhe se ndihmonin ushtrinë izraelite.
Militantët e Hamasit dhe klani Dughmush u përleshën gjithashtu, duke çuar në vdekje të shumta, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Kjo është një mundësi historike për paqe. Hamasi duhet ta shfrytëzojë atë duke u tërhequr plotësisht, duke iu përmbajtur në mënyrë strikte planit të paqes prej 20 pikash të presidentit (Donald) Trump dhe duke u çarmatosur pa vonesë”, tha Cooper në një deklaratë.
Ai shtoi se shqetësimet e SHBA-së iu përcollën ndërmjetësve, “të cilët ranë dakord të punonin me ne për të zbatuar paqen dhe për të mbrojtur civilët e pafajshëm të Gazës”.
“Ne mbetemi shumë optimistë për të ardhmen e paqes në rajon”, ka thënë më tej ai.
Presidenti amerikan Donald Trump tha të martën se Hamasi do të çarmatoset, duke paralajmëruar se nëse nuk e bëjnë këtë, “ne do t’i çarmatosim”.
Duke folur me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trump theksoi: “Ata e dinë që unë nuk po bëj lojëra”.
Ai shtoi se “kjo do të ndodhë shpejt dhe ndoshta me dhunë”. /Telegrafi/
















































