Gjëndrat limfatike të rritura te fëmijët

Çfarë tregojnë nyjet limfatike të zmadhuara te fëmijët dhe kur kërkojnë vlerësim mjekësor
Dr. Flora Selimi
Pediatër i përgjithshëm
Subspecialist hematolog
044 411 543
Sistemi limfatik (i përbërë nga gjëndrat limfatike dhe enët limfatike) përshkon gjithë trupin tonë, ashtu si enët e gjakut. Si pjesë e sistemit imunitar, ai ndihmon në mbrojtjen e trupit kundër agjentëve të jashtëm. Gjëndrat limfatike filtrojnë limfën (një lëng që vjen nga indet) dhe e pastrojnë atë nga trupat e huaj dhe agjentët e jashtëm.
Gjëndrat limfatike gjenden kudo në trupin tonë. Gjithsesi, ato janë më të shumta në qafë, në nofullën e poshtme, në rrëzë të kofshës, në sqetull dhe përreth organeve të brendshme.
Madhësia dhe forma e tyre mund të ndryshojnë: ato janë të sheshta, në formën e fasules, me madhësi rreth 1 cm në nofull; janë të rrumbullakëta dhe më pak se 0.5 cm në qafë; janë të stërzgjatura dhe rreth 1.5 cm në rrëzë të kofshës.
Vendndodhja, konsistenca, natyra e dhimbshme ose jo, si dhe lëvizshmëria janë karakteristikat e nyjeve limfatike që ndihmojnë mjekun të orientohet rreth shkakut të zmadhimit të tyre:
▪ Nyjet e ënjtura në një zonë të trupit, p.sh. në qafë gjatë faringitit.
▪ Nyjet e ënjtura në disa vende të ndryshme, p.sh. limfoma.
▪ Normalisht, nyjet limfatike janë të buta, elastike dhe pak të lëvizshme.
▪ Nyjet e ënjtura janë të dhimbshme dhe të forta në prekje.
▪ Nyjet limfatike kanceroze janë më të forta, jo të dhimbshme dhe jo të lëvizshme.
Çrregullime të mundshme shoqëruese janë: shenjat e inflamacionit (p.sh. shenjat e ftohjes: skuqje e qafës, ethe, rrufë, dhimbje të fytit etj.), dhimbje, puçrra në lëkurë, djersitje gjatë natës.

Cilat janë sëmundjet që shkaktojnë këtë simptomë?
Shkaqet e zmadhimit të gjëndrave limfatike janë të shumta: që nga infeksionet e lehta (p.sh. faringiti ose gripi), e deri te sëmundjet malinje (p.sh. limfoma). Gjithashtu, ato mund të zmadhohen edhe kur ka plagë të infektuara.
Shkaqet e zmadhimit të nyjeve limfatike janë:
▪ Infeksionet virale ose bakteriale, inflamacionet: ftohja, tonsiliti, faringiti, gripi.
▪ Infeksionet bakteriale specifike: sifilizi, tuberkulozi, salmoneloza, limfogranuloma veneriane.
▪ Infeksionet virale specifike: citomegalovirusi, Epstein-Barr virusi, mononukleoza, herpesi, fruthi, shytat, rubeola, HIV.
▪ Infeksionet nga mikroorganizma të tjerë: toksoplazmoza, malaria, mykozat.
▪ Sëmundjet reumatizmale: artriti reumatoid, lupusi eritematoz sistemik.
▪ Tumoret beninje ose kanceret: limfomat beninje (sarkoidoza, sëmundja Kawasaki), kanceri i nyjeve limfatike (sëmundja Hodgkin, limfoma jo-Hodgkiniane), leukemia.
Si të veproni?
Nuk mund të bëni asgjë për të ndihmuar veten nëse keni nyje limfatike të enjtura. Nëse shkaku është një faringit i zakonshëm, mund të prisni për një kohë dhe të vëzhgoni ecurinë e tyre. Nyjet limfatike duhet të zvogëlohen paralelisht me zhdukjen e infeksionit.
Disa sëmundje (përfshirë infeksionet dhe inflamacionet) që shkaktojnë zmadhim të nyjeve limfatike mund të parandalohen nëpërmjet masave parandaluese ose mjeteve të thjeshta. Pjesë e kësaj strategjie është edhe parandalimi ose zbulimi i hershëm i sëmundjeve kancerogjene.
Kur duhet të konsultoheni me mjekun?
Një mjek duhet të konsultohet kur nyjet limfatike janë të zmadhuara në rastet e mëposhtme:
▪ Ënjtje e pashpjeguar e nyjeve limfatike që nuk zvogëlohen pas 2 javësh.
▪ Nyje limfatike të enjtura që vazhdojnë të zmadhohen.
▪ Nyje limfatike të zmadhuara dhe të dhimbshme.
▪ Dhimbje dhe skuqje e lëkurës pranë një nyjeje limfatike të zmadhuar.
▪ Nyjet limfatike janë të zmadhuara, të forta dhe jo të lëvizshme.
▪ Pacienti paraqet gjithashtu temperaturë të lartë, djersitje gjatë natës ose humbje të pavullnetshme në peshë.
▪ Çrregullime të gëlltitjes dhe të frymëmarrjes që lidhen me nyjet limfatike të zmadhuara.

Tek cili mjek duhet të shkoni?
Mjeku i familjes (mjek i përgjithshëm), pediatri, pediatri hematolog, si dhe mjeku ORL (otorinolaringolog) dhe kirurgu maksilofacial.
Ekzaminimet mjekësore
Për të krijuar një ide të qartë mbi problemet aktuale dhe shkaqet e mundshme të tyre, mjeku pyet fillimisht pacientin për simptomat dhe historinë mjekësore (anamnezën), pastaj kryen një ekzaminim fizik (inspektimin, palpacionin, auskultimin, perkusionin, ekzaminimet funksionale, etj.). Më pas, sipas rastit, mund të nevojiten edhe ekzaminime mjekësore shtesë.
Ekzaminimi fizik
Ekzaminimi fizik konsiston fillimisht në inspektimin e nyjeve limfatike të zmadhuara. Mjeku vlerëson konsistencën e tyre (të forta ose të buta), lëvizshmërinë dhe dhimbjen ose jo të ganglionit. Gjithashtu, kontrollon nëse ka nyje limfatike të tjera të zmadhuara në pjesë të tjera të trupit, duke kërkuar njëkohësisht edhe shenja të mundshme të infeksionit ose inflamacionit. Gjatë ekzaminimit të barkut, mjeku shqyrton madhësinë e shpretkës, një organ që i përket sistemit limfatik dhe gjendet në pjesën e sipërme të majtë të barkut.
Ekzaminime të tjera / ekzaminime mjekësore shtesë
▪ Testi i gjakut: vlerësohet përbërja e qelizave të gjakut, proteinat etj.
▪ Ekografia e nyjeve limfatike të zmadhuara.
▪ Biopsia e nyjeve limfatike.
▪ Ekzaminimet imazherike: radiografia, CT-skaneri dhe MRI (Rezonanca Magnetike).
Trajtimi mjekësor
Trajtimi i nyjeve limfatike të zmadhuara gjithmonë varet nga shkaku i tyre.
Kështu:
▪ Gjatë infeksioneve lokale (p.sh. faringiti), nuk nevojitet ndonjë trajtim i veçantë. Ato zvogëlohen spontanisht pasi sëmundja kalon.
▪ Infeksionet bakteriale trajtohen me antibiotikë.
▪ Gjatë infeksioneve virale, të tilla si fruthi ose mononukleoza, trajtimi është simptomatik. Infeksione të tjera virale, siç është HIV-i, kërkojnë trajtim antiviral (medikamente që pengojnë riprodhimin e virusit).
▪ Limfomat trajtohen me kimioterapi dhe radioterapi (rrezatim).
/Telegrafi/









































