GIZ Kosova trajnon 13 agri-sipërmarrës të rinj për zhvillim të qëndrueshëm rural

Trembëdhjetë pjesëmarrës nga grupe të cënueshme, përfshirë gra dhe përfaqësues të komuniteteve minoritare, kanë përfunduar me sukses programin pesëditor të trajnimit për fillimin dhe menaxhimin e agrobizneseve me praktika të gjelbra.
Programi, i organizuar për rajonin e Prishtinës, ka pasur për qëllim fuqizimin e kapaciteteve të pjesëmarrësve dhe shndërrimin e ideve të tyre në plane konkrete për biznese të qëndrueshme në sektorin e bujqësisë, përcjell Telegrafi.
Pas përfundimit të trajnimit, pjesëmarrësit do të ndjekin një program mentorimi tre-mujor, ndërkohë që disa prej tyre tashmë kanë aplikuar në Skemën e Granteve për Zhvillim Rural, për të siguruar mbështetje financiare për realizimin e projekteve të tyre.
Sipas GIZ Kosovë, ky program do të zgjerohet së shpejti edhe në dy rajone të tjera të vendit, me synimin për të mbështetur më shumë sipërmarrës të rinj në fushën e agrobiznesit.
Trajnimi u organizua nga Kosova Women 4 Women (KW4W) në bashkëpunim me Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës (EARK) dhe është pjesë e mbështetjes së Qeverisë Gjermane përmes GIZ Kosovës, për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe përfshirës në zonat rurale të vendit. /Telegrafi/

















































