LAJMI I FUNDIT:

Gërvalla takim virtual me homologen suedeze, flasin për zhvillimet politike në Kosovë

Gërvalla takim virtual me homologen suedeze, flasin për zhvillimet politike në Kosovë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, zhvilloi sot takim në formë virtuale me homologen e saj suedeze, Ann Linde.

“Gërvalla, ka theksuar se Kosova dhe qytetarët e saj do të jenë përherë mirënjohës për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme që Suedia i ka ofruar Kosovës ndër vite. Ajo ka veçuar kontributin e Suedisë përmes prezencës në KFOR dhe gjithashtu bashkëpunimin suedez për zhvillim”, thuhet në njoftimin për media.

Duke i vlerësuar të shkëlqyera raportet mes të dyja vendeve, Gërvalla ka njoftuar ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë me zhvillimet politike në vend si dhe prioritet e Qeverisë së re.


“Në këtë drejtim ministrja Gërvalla ka theksuar se prioritet mbetet forcimi i rendit dhe ligjit. Temë diskutimi ishte thellimi i bashkëpunimit bilateral. Palët diskutuan edhe për politikat e jashtme feministe dhe nevojën për të shkëmbyer përvojat në këtë drejtim dhe gjithashtu për të thelluar bashkëpunimin edhe në fushën e kulturës”, thuhet në njoftim.

Gërvalla dhe Linde folën edhe për diasporën shqiptare në Suedi, për çka u theksua se është mirë e integruar atje. Po ashtu folën edhe për të ardhmen e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë. /Telegrafi/