Gentian Bunjaku është pjesë e klubit zviceran Lausanne Ouchy, ku drejton ekipin U21 si trajner i parë, ndërsa në ekipin e parë në këtë klub është ndihmës trajner.

Pas një karriere të gjatë si futbollist, ku luante si sulmues me klube si Stade Nyonnais, Yverdon Sport, Vevey Sport e disa të tjera, Bunjaku vendosi të përqendrohej te zeja e trajnerit.


Fillimisht ai e nisi me edukim me fëmijë nga 6 deri në 10 vjet, për të vazhduar pastaj me ekipin U21 dhe tani me ekipin e parë si ndihmës.

“Pas një karriere të gjatë si futbollist, vendosa t’i përqendrohem zejes së trajnerit, pasi edhe sa luaja ishte një punë e mendoja dhe doja ta bëja në të ardhmen. Fillimisht kam punuar në një shkollë mësimi me fëmijë nga 6 deri në 10 vjet, pasi besoj që është baza për një trajner që kërkon të ngjitet gradualisht”, thotë Bunjaku për Telegrafin.

Gentian Bunjaku, trajner te klubi zviceran Lausanne Ouchy

Ai tash e një vit e gjysmë është pjesë e klubit Lausanne Ouchy, ku ka drejtuar ekipin U21 me shumë sukses.

“Janë bërë një vit e gjysmë që jam te Lausanne Ouchy dhe po ecim shumë mirë. Jam i lumtur që drejtoj ekipin U21 në këtë kohë. Kemi pasur suksese të kënaqshme me këtë grupmoshë”.

“Puna ime ka rënë edhe në sytë e drejtuesve dhe trajnerit të parë të ekipit, Dalibor Stevanović, i cili më ka ftuar të bashkohem me të në ekipin e parë, ku jam ndihmës i tij tash e tetë muaj”, deklaroi Bunjaku.

Trajneri Dalibor Stevanovic ka bërë karrierë të kënaqshme si futbollist duke luajtur me klube si Real Sociedad, Alaves, Vitesse e Slaven Belupo, ndërsa ka mbi 20 paraqitje edhe me ekipin e parë të Kombëtares së Sllovenisë.

Trajneri Dalibor Stevanovic dhe Gentian Bunjaku

Stevanovic dhe Bunjaku kanë arritur sukses të madh në Kupën e Zvicrës këtë edicion, duke kapur aktualisht gjysmëfinalen dhe duke eliminuar ekipe elitare si Luzern dhe Winterthur.

“Në kampionat kemi ngecur paksa, jemi në vendin e katërt, duke humbur pikë në disa ndeshje, por në Kupën e Zvicrës na ka ecur shumë mirë, duke arritur në gjysmëfinale, një sukses i jashtëzakonshëm, pasi kemi eliminuar edhe dy ekipe nga Superliga e Zvicrës”, tregon Bunjaku.

Trajneri, i cili zotëron licencën B, thotë se në dhjetor do të futet për licencën A, ndërsa pas disa vitesh synimi është të jetë trajner i parë.

“Jam mirë momentalisht në këtë klub, por rritem shumë profesionalisht. Kam licencën B, ndërsa në dhjetor do të futem për licencën A. Synimi im kryesor është që pas tre apo katër vitesh të jem trajner i parë,” nënvizoi Bunjaku.

Stevanovic dhe Bunjaku në një ndeshje të Lausanne Ouchy

Edhe pse ka kushte të mira dhe gjithçka në Zvicër, ai nuk e përjashton që një ditë të kthehet edhe në Kosovë për të punuar dhe për të ndarë përvojat e tij. /Telegrafi/

telegrafi sport app