Vajza e Vladimir Putinit, e njohur si vajza e tij sekrete, shprehu keqardhje për luftën e babait të saj në Ukrainë, ndërsa u përball me një gazetar ukrainas në Paris, i cili humbi vëllanë e tij nga një sulm rus.

Luiza Rozova, e cila mban gjithashtu emrin Elizaveta Krivonogikh, u ndalua nga gazetar i TSN, Dmytro Sviatnenko, i cili humbi vëllanë e tij, Volodymyr, në një sulm me raketa në nëntor.


Ai i kërkoi asaj që të fliste me Putinin për t’iu lutur të ndalonte gjakderdhjen në Ukrainë.

Luiza e quajti gazetarin “të guximshëm” që foli me të, por më pas u largua nga rrugët e Parisit, ku jeton aktualisht.

Ajo lindi nga një aferë jashtëmartesore e Putinit me Svetlana Krivonogikh, një ish-pastruese e cila u bë më pas multimilionere dhe pronare e një klubi striptizi.

Gjatë përballjes, Sviatnenko i tha Luizës “Tre javë më parë, babai yt vrau vëllanë tim”.

Ai e pyeti se si mund të jetojë në Evropë, duke u përshkruar si e urryer dhe e mallkuar nga Putini, dhe i kërkoi të shprehej mbi politikat e babait të saj.

Luiza, që mbante maskë, fillimisht reago: “Nuk të dhashë leje të më filmoje”.

Gazetari e pyeti më pas për situatën në Kiev dhe bombardimet që po vazhdonin, duke i sugjeruar që të telefononte Putinin për të ndaluar sulmet. Ajo iu përgjigj disa herë “Epo, sigurisht.”

Në fund, ajo u ftua të shkonte në Kiev ose në zonën e konfliktit në Pokrovsk, ku prania e saj mund të ndikonte në ndërprerjen e sulmeve me dronë dhe raketa nga Rusia. /Telegrafi/