LAJMI I FUNDIT:

​Gaxherri: Licencimi për dy hidrocentralet, i papranueshëm dhe me pasoja për mjedisin

​Gaxherri: Licencimi për dy hidrocentralet, i papranueshëm dhe me pasoja për mjedisin

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besa Gaxherri e ka quajtur të papranueshme dhe me pasoja të pariparueshme për mjedisin, dhënien e licencave për kompaninë “Kelkos Energy”.

Ajo në interpelancën e sotme të ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi për lëshimin e licencave për hidrocentralet, tha se investimi në grykën e Deçanit nga “Kelkos” është modeli më i keq i mundshëm që shpërfaqë parregullsi të shumta.

“Procesi i investimit në grykën e Deçanit nga kompania ‘Kelkos’ është modeli më i keq i mundshëm, i cili shpërfaq shumë parregullsi, dyshime dhe pasoja të pariparueshme në atë hapësirë. Zotëri ministër, lëshimi i lejes mjedisore dhe licencimi nga ZRRE është i papranueshëm, me gjendjen mjedisore që është shkaktuar nga ajo hapësirë. Ne kërkojmë nga institucionet tona të respektojnë ligjet”, tha ajo.


Krahas kësaj, deputetja e LDK-së kërkoi nga zyra e Auditorit të Përgjithshëm të auditojë të gjitha licencat që janë dhënë për hidrocentralet.

Gaxherri adresoi edhe kritika për thirrjen e kësaj interpelance, derisa Gjykata Themelore në Prishtinë ka pezulluar punët për këto dy hidrocentrale.