LAJMI I FUNDIT:

Gashi në konferencën ministrore të partnerëve të Ballkanit Perëndimor në Vejnë

Gashi në konferencën ministrore të partnerëve të Ballkanit Perëndimor në Vejnë

Me ftesë të ministrit të Brendshëm të Austrisë, Herbert Kickel, Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi po merr pjesë në konferencën ministrore e partnerëve të Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Vjenë me temë: “Siguria dhe Migracioni – Promovimi i Partneritetit dhe Pajtimit”.

Ministri Gashi gjatë dy ditëve të kësaj konference, do të diskutojë lidhur me interesin e përbashkët të vendeve të  Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian, për t’iu përgjigjur problemeve që lidhen me sigurinë, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e të gjithë vendeve.


“Siç e dimë të gjithë, në ditët tona, terrorizmi ndërkombëtar dhe ekstremizmi i dhunshëm fetar vazhdojnë të mbeten një nga kërcënimet kryesore të sigurisë, si në Ballkanin Perëndimor edhe në vendet e tjera të botës. Mjedisi ndërkombëtar i sigurisë është bërë më i paparashikueshëm dhe i mbushur me shumë sfida që shkojnë edhe shumë larg përtej Evropës”, tha ministri Gashi.

Ministri Gashi theksoi se Qeveria e Kosovës e ka gjykuar dukurinë e terrorizmit dhe të ekstremizmit, si një dukuri me synime të trefishtë, si përpjekje për goditur sigurinë e Kosovës, si përpjekje për të krijuar mbështetje afatgjate në Kosovë dhe si përpjekje për të dërguar ushtarë për shtetin islamik duke shpërdoruar besimin fetar të myslimanëve të Kosovës.

Si rrjedhojë e këtyre përpjekjeve të Republikës së Kosovës ka një zvogëlim shumë të dukshëm të kësaj dukurie.

Në vitet 2017-2018, numri i njerëzve nga Kosova që kanë shkuar në zonat e konfliktit ka qenë zero, një rënie e dukshme krahasuar me vitet 2013-2014.

Konferenca do të vazhdojë edhe nesër, ku ministri Gashi do të takojë ministra dhe përfaqësues të shteteve të Ballkanit, më të cilët do të bisedojë për të ardhmen e përbashkët të vendeve, sa i përket formave të bashkëpunimit për rritjen e sigurinë në rajon dhe më gjerë.

Në këtë konferencë po marrin pjesë përfaqësuesit e të gjitha shteteve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe të organizatave ndërkombëtare, siç janë INTERPOL, EUROPOL, FRONTEX, IOM, UNCHR, ICMPD, IACA, MARRI, etj, përcjell Telegrafi.