Bekim Jashari e Sami Lushtaku do të jenë dyshja e konfirmuar e kandidatëve për kryetar, që do të zhvillojnë garë të nxehtë në Komunën e Skenderajt, në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.

Jashari, si kandidat i pavarur po kërkon mandatin e dytë për udhëheqjen e Skenderajt, e Lushtaku si kryetar i Degës së PDK-së në Skenderaj, po kërkon rikthimin e tij në krye të Komunës, transmeton Telegrafi.

Dy kandidatët e lartpërmendur gëzojnë përkrahje e popullaritet të madh në Komunën e Skenderajt.

Bekim Jashari në zgjedhjet lokale që ishin mbajtur në vitin 2017, kishte fituar bindshëm në raundin e parë të zgjedhjeve, ku kishte marrë 85.52% të votave.

E, në atë kohë kundërkandidat e kishte Musa Dervishajn nga Aleanca Kosova e Re, Hysni Mehanin nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe Isa Fejullahun nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kurse, Sami Lushtaku në vitin 2017 ishte tërhequr nga gara për kryetar të Skenderajt, duke deklaruar se si PDK do ta mbështesin Bekimin, djalin e heroit, Hamëz Jashari, ani pse ai nuk kishte raporte të mira me të.

Ndryshe, në postimin e bërë para disa ditësh, kryetari aktual i Skenderajt, Bekim Jashari, kërkoi nga qytetarët besimin edhe për një mandat, siç tha ai, për një qeverisje transparente e me duar të pastra.

“Të dashur qytetarë, nën betimin për të vazhduar qeverisjen time transparente dhe me duar të pastra, për të vazhduar me projekte të tilla edhe më madhore, për të arritur zhvillim ekonomik, mirëqenie, punësim të të rinjve, infrastrukturë moderne, furnizim të rregullt me ujë të pijshëm, trajtim të ujërave të zeza, mbrojtje të mjedisit e planifikim të duhur hapësinor, kam vendosur që: Të kërkoj nga ju edhe një mandat qeverisës si kryetar i Skenderajt, me vendosmërinë më të madhe për t’iu shërbyer edhe për 4 vitet e ardhshme”, kishte thënë Jashari.

Ndërkaq, Sami Lushtaku gjatë zyrtarizimit të kandidaturës theksoi se është krenar që qytetarët e Skenderajt e mbështesin PDK-në.

“Unë jam shumë i nderuar dhe krenar që qytetarët e Skenderajt tash e 20 vite e mbështesin fuqishëm PDK-në. Jam krenar që edhe këto zgjedhje qytetarët e Skenderajt të bashkuar do të festojmë fitoren e madhe të radhës në tetor dhe do të vazhdojmë projektet për vazhdimin e zhvillimit të Skenderajt”, kishte pohuar Lushtaku.

Ndryshe, nga PDK kanë pohuar se kanë ftuar Bekim Jasharin që të jetë pjesë e partisë, por që nuk ka pranuar.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor, kurse subjektet politike kanë kohë 30 ditë për të bërë fushatë zgjedhore. /Telegrafi/