Në një intervistë të sinqertë dhe frymëzuese për Telegrafi, atletja Qëndresa Ramadani nga Ferizaj, flet për rrugëtimin e saj në botën e vrapimit dhe maratonave.

Me një qasje të hapur, ajo ndan motivimin, sfidat dhe emocionet që e shoqërojnë në çdo hap drejt suksesit, duke u shndërruar në një model të vërtetë frymëzimi për të rinjtë.


Çfarë të ka shtyrë të merresh me vrapim dhe maratona?

Kur kam filluar të vrapoj, nuk e kam menduar kurrë që do të marr pjesë në maratonë, mirëpo shoqëria ime më tregonin për eksperiencat e tyre në maratonat që kishin bërë dhe vendosa ta provoj edhe unë.

Kur e kuptove për herë të parë që ke talent dhe pasion për këtë sport?

Dëshira e madhe për t’u marrë me sport më ka shtyrë të merrem me vrap, veçanërisht me maratonë, sepse maratona është një sfidë më vete – aty vrapon me veten, me mendjen, me trupin, dhe të shtyn të kalosh limitet e tua.

Si e mban motivimin të lartë për të vazhduar përgatitjet dhe garat?

Vetë vrapi është motivim – unë pas çdo stërvitjeje kam qëllimet e mia për të arritur rezultate më të mira në gara. Garat gjithmonë i bëj me veten, jo me konkurrentët e tjerë.

Foto: Qendresa Ramadani/FaceBook

Kur e kuptove për herë të parë që ke talent dhe pasion për këtë sport?

Para se të merresha me atletikë, kam ushtruar gjimnastikë. Pasi e përfundova karrierën time në gjimnastikë, fillova të vrapoj, dhe aty pashë që vrapi më bënte mirë – si për mendjen ashtu edhe për trupin.

Si duket një ditë e zakonshme stërvitjeje për ty?

Dita ime fillon me stërvitje – ndonjëherë e vështirë, ndonjëherë e lehtë, por çdo ditë përfshin ushtrime.

Foto: Qendresa Ramadani/FaceBook

A ke ndonjë ritual para garave që ndihmon në përqendrim?

Para garës, dëgjoj vetëm këshillat që m’i jep trajneri im, Kushtrim Deva – vetëm ai mund të më ndihmojë të performoj mirë në gara.

Si e përjetove fitoren në “Prishtina Trails”? Çfarë domethënie kishte për ty?

“Prishtina Trails” ishte një garë shumë e mirë, por edhe e vështirë për mua, megjithatë e përfundova në vend të parë, që për mua ishte një ndjenjë shumë e mirë. Është hera e tretë që e marr vendin e parë në këtë garë.

Foto: Qendresa Ramadani/FaceBook

Cila ka qenë gara më sfiduese deri tani, dhe pse? A ndodh ndonjëherë që të duash të dorëzohesh gjatë një gare – dhe si e përballon atë moment?

Gara më sfiduese deri tani ka qenë në Maqedoni – “Krali Marko”. Ka qenë gara më e vështirë që kam bërë ndonjëherë: me shumë ngjitje, temperatura të larta dhe një shteg shumë të vështirë. E kam përfunduar me shumë vështirësi. Aty për herë të parë kam thënë: “S’do të vrapoj më”. Ishte gara ku kam dashur të ndalem disa herë, por e kam bërë me shokun tim, Asllan Elezi, i cili më shtyu ta përfundoj deri në fund.

Si ndikon ky sport në jetën tënde personale dhe sociale?

Sporti në jetën time ka ndikim shumë të madh – energjinë që e marr nga sporti nuk e gjej askund tjetër. Më ndihmon të jem më e hapur me njerëzit, të jetoj shëndetshëm dhe t’i përballoj sfidat që sjell jeta. Gjithçka është më e lehtë kur merrem me sport.

Foto: Qendresa Ramadani/FaceBook

A ndihesh si model frymëzimi për të rinjtë?

Po, patjetër që ndihem si model frymëzimi për të rinjtë, pasi sporti është metoda më e mirë për të jetuar shëndetshëm dhe nuk të shtyn të ndjekësh rrugë të këqija.

Cilat janë synimet e tua për të ardhmen në vrapim – ndonjë maratonë ndërkombëtare në plan?

Synimet e mia për të ardhmen janë të përmirësoj kohën time në maratonë, dhe të marr pjesë në maratona vendore dhe ndërkombëtare.

Foto: Qendresa Ramadani/FaceBook

Çfarë mesazhi do t’u jepje të rinjve që duan të merren me sport?

Mesazhi im për të rinjtë është të merren sa më shumë me sport, sepse sporti ta ndryshon krejt jetën: të mëson disiplinë, jetë të shëndetshme dhe të largon nga veset e këqija, të cilat fatkeqësisht kohët e fundit kanë marrë një hov të madh.

Qëndresa Ramadani është më shumë se një atlete – ajo është një shembull i gjallë se si vendosmëria, pasioni dhe përkushtimi mund të shndërrojnë jetën. Me rrënjët në sport dhe synimet drejt majave ndërkombëtare, ajo vazhdon të jetë një burim frymëzimi për çdo të ri që dëshiron të ecë drejt një jete më të shëndetshme dhe të mbushur me kuptim. /Telegrafi/

telegrafi sport app