Policia e Kosovës të enjten pas verifikimit të një video - regjistrimi të publikuar nga një medium, ka identifikuar dy kundërvajtës të cilët kanë bërë gara të shpejtësisë rreth orës 02:50 në një rrugë në Prizren.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se fillimisht, secilit kundërvajtës i është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh dhe masë ndaluese për drejtimin e automjetit për 12 muaj.


"Pas pranimit të kundërvajtjes nga personat e përfshirë dhe në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, masa e ndalimit të patentë shoferit është konvertuar në gjobë shtesë prej 500 eurosh për secilin, duke e çuar shumën totale të gjobës në 1000 euro për secilin. Policia e Kosovës apelon për respektim të rregullave të komunikacionit dhe rikujton se pjesëmarrja në gara të shpejtësisë paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për jetën dhe sigurinë publike", thuhet në njoftim. /Telegrafi/