Fytyra e saj duket shumë e freskët ani pse i ka 69 vjet, Kris Jenner merr vëmendjen me paraqitjen e saj të fundit në Las Vegas

Kris Jenner u shfaq mahnitëse mbrëmë në premierën e filmit klasik "Wizard of Oz", që u mbajt në The Sphere në Las Vegas, ku vazhdoi të tregonte rezultatet e jashtëzakonshme të facelift-it të saj prej 100 mijë dollarësh.
Personaliteti televiziv, 69 vjeçe, e cila së fundmi foli hapur për ndërhyrjen kirurgjikale, u paraqit me një pamje elegante dhe rinore, e veshur me një fustan të shkurtër bardh e zi.
Ajo kompletoi pamjen me taka, çorape të zeza dhe vathë diamanti që shkëlqenin, ndërsa grimi i sofistikuar theksonte tiparet e saj të paprekura nga mosha, shkruan DailyMail.
Në tapetin e kuq pozoi pranë aktores Rosanna Arquette dhe Shelli Azoff, bashkëshortes së CEO të "Ticketmaster", Irving Azoff.
Para se të ulej për të shijuar filmin e vitit 1939, Kris dhuroi momente të gjalla për kamerat. Kinemaja e Las Vegasit ku u shfaq filmi kishte vende të asistuara nga inteligjenca artificiale, që lëviznin në sinkron me ngjarjet në ekran.
Në maj, fansat mbetën të habitur kur Jenner zbuloi fytyrën e saj të freskuar, duke u dukur jashtëzakonisht e ngjashme me vajzën e saj të dytë, Kim Kardashian, 44 vjeçe.
Ylli i reality-show-it iu drejtua kirurgut të njohur Dr. Steven M. Levine – i cilësuar si “maestro i facelift-it” – për këtë ndërhyrje. Procedurat e tij fillojnë nga 45 mijë dollarë dhe janë të preferuara nga shumë VIP-a.
Duke folur për Vogue, Kris tha pa hezitim: “Për mua, ky është plakje me hijeshi. Është versioni im. Kisha bërë një facelift rreth 15 vite më parë, ndaj mendova se kishte ardhur koha për një rifreskim. Dua të jem versioni më i mirë i vetes, dhe kjo më bën të lumtur”.
Ajo shtoi: “Vetëm pse plakesh, nuk do të thotë se duhet të heqësh dorë nga vetja. Nëse je mirë në lëkurën tënde dhe nuk do të bësh asgjë, është zgjedhja jote. Por për mua, ky është versioni im i plakjes me dinjitet”.
Jenner zbuloi se vajza e saj më e vogël, Kylie Jenner (28 vjeçe), e shoqëroi në sallën e operacionit, ndërsa Kim ishte “prezente gjatë gjithë kohës përmes FaceTime”.
Ajo theksoi se nuk ka aspak keqardhje për faktin që flet hapur me fansat për ndërhyrjet që bën: “Këto gjëra mund të jenë frymëzuese për njerëzit që nuk ndihen mirë me veten. Edhe kur bëra protezën e ijeve, e xhiruam. Jam e bindur se ndarja e këtyre përvojave mund të ndihmojë”.
Në intervistë, Jenner foli edhe për aftësitë e saj të njohura negociuese, duke treguar se falë kontratave të hershme, ajo dhe vajzat e saj ruajtën kontrollin editorial të 27 sezoneve të reality-show-it të tyre.
“Nuk do ta vendosja familjen time në një situatë të rrezikshme duke nënshkruar një kontratë ku nuk do të kishim asnjë fjalë për imazhin tonë. Kuptuam shpejt se momentet e sinqerta, lotët dhe jeta jonë e vërtetë kishin vlerë. Hiqnim diçka vetëm kur dukej keq ose kishte një kënd më të mirë”.
Kris mbush 70 vjeç në nëntor, por nuk ka ndërmend të ndalet: “Nëna ime punoi deri në moshën 82-vjeçare. Unë planifikoj ta ndjek shembullin e saj. Ndoshta deri në 85?”.
Sipas një burimi për DailyMail, përveç fytyrës së re, Jenner ka rinovuar edhe gardërobën për t’iu përshtatur trupit të saj të transformuar. “Kris nuk është më masë 10. Tashmë është masë 6 dhe është e lumtur – është e njëjta masë që kishte në vitet ’80. Dollapi i saj është krejt i ndryshëm tani dhe kjo e bën të ndihet sikur është rikthyer tek vetja e saj e re”.
Ndërsa Jenner nuk ka treguar publikisht si e ka humbur peshën, fansat dyshojnë se ajo mund të ketë përdorur ilaçin Ozempic, i njohur për trajtimin e diabetit dhe për humbje peshe. Megjithatë, Kris historikisht e ka atribuar trupin e saj në formë të mirë një diete të shëndetshme dhe një stili jetese aktiv. /Telegrafi/




































































