Fushë Kosova përuron Qendrën e re të Mjekësisë Familjare me investim prej 550 mijë eurosh

Komuna e Fushë Kosovës ka përfunduar edhe një projekt tjetër të rëndësishëm në fushën e shëndetësisë. Qendra e re e Mjekësisë Familjare, e ndërtuar në rrugën “Tahir Zemaj”, tashmë është gati të vihet në shërbim të qytetarëve.
Me një investim prej 550,000 euro dhe një sipërfaqe prej 1,120 metrash katrorë, objekti modern ofron kushte bashkëkohore për ofrimin e shërbimeve shëndetësore afër banorëve të kësaj zone, përcjell Telegrafi.
Qendra pritet të fillojë punën që nga java e ardhshme, duke lehtësuar qasjen e qytetarëve në kujdesin parësor shëndetësor.
Sipas njoftimit të komunës, objekti është pajisur me infrastrukturë moderne dhe staf të përkushtuar mjekësor, që do të garantojë shërbime cilësore, të sigurta dhe efikase për të gjithë pacientët.
Ky projekt vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve në sektorin e shëndetësisë lokale dhe përmbushjes së nevojave të komunitetit për kujdes më të afërt e më të standardizuar. /Telegrafi/


















































