LAJMI I FUNDIT:

Furnizimi stabil me rrymë

Furnizimi stabil me rrymë

Gjendja e furnizimit me energji elektrike në Kosovë është relativisht stabile. Me rënien e njësisë A4 të Termocentralit “Kosova A”, dje në mëngjes, ka filluar importi i energjisë elektrike e cila ka bërë që reduktimet të zvogëlohen në maksimum.

Po ashtu edhe shumica e prishjeve që kishin ndodhur për shkak të motit me borë, janë sanuar.
Pas acarit edhe reshjeve të shumta të borës, që shkaktuan reduktime e prishje të mëdha të rrjetit, dje në mëngjes ka rënë nga sistemi edhe njësia A4 e Termocentralit “Kosova A” në vend.


Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala tha se janë duke importuar të gjithë energjinë e disponueshme në rajon, për të stabilizuar gjendjen.

“Këto mungesa, mund të sjellin reduktime të kohëpaskohshme të energjisë elektrike që mund të sillen nga një, eventualisht nga dy orë. Nga ana tjetër, thuajse të gjitha prishjet që kanë ndodhur për shkak të motit me borë e acar, tashmë janë sanuar”, konfirmoi Buzhala, për Radio Kosovën.
Prishjet janë sanuar falë angazhimit të pashembullt të punëtorëve të KEDS-it, posaçërisht në rajonin e vështirë e malor të Dragashit.
KEDS-i është duke e përcjellë gjendjen dhe do të intervenojë eventualisht nëse paraqitet përsëri nevoja për këtë, ka thënë më tej Buzhala. /Telegrafi/