Mes tensionesh e protestash pranuan detyrën të cilën e dorëzuan sot. Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, dhe ai i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, në një rrëfim për KALLXO.com tregojnë se a e kanë menduar dorëheqjen, cilat kanë qenë sfidat dhe si po i lënë sot komunat që kanë udhëhequr.

Ilir Peci, i cili për më shumë se dy vite ishte në krye në Zveçanit, tha se u përball me kërcënime për ta lëshuar objektin dhe për të dhënë dorëheqje.


E këtë të dytën thotë se as nuk e ka çuar ndërmend.

“Asnjëherë nuk më ka interesuar frika që më ka ardhur vazhdimisht nga Lista Serbe. Disa herë para gazetarëve të Beogradit unë ua kam shpjeguar se me kërcënime mua nuk mundeni me më largu. Po vazhdimisht, për ato gjithmonë kanë qenë të njoftuar edhe Policia, gjithmonë jam thirrur në atë se me kërcënime nuk mund të më largoni, derisa është shteti im, kam ardhur në mënyrë ligjore dhe i respektoj ligjet e Republikës së Kosovës”, u shpreh Peci.

Krahasuar me gjendjen si e gjeti Komunën, e për ca kohë vazhdoi qeverisjen pa drejtorë e zyrtarë në përpjekje për t’i plotësuar këto kuadro, Peci thotë se kanë arritur goxha mirë të punojnë në këtë Komunë.

Kremtimin e përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë në seancën e parë solemne e kujton si momentin më të sikletshëm gjatë qeverisjes së tij.

“Për herën e parë në veri të Kosovës është mbajtur kuvendi dhe është festuar dita e 28 Nëntorit. Në vitin e kaluar në sallën e Kuvendit në katin e tretë, ku kanë qenë përmbi ndoshta 300 vetë dhe asnjëherë nuk më është larguar nga mendja duke e ditur situatën në të cilën jemi këtu deri e kam përfunduar fjalimin tim”, potencoi ai.

Kujtojmë se në orët e para të ditës më 24.09.2023, një njësi policore e cila ishte në patrullim në zonën e Zveçanit njoftoi se dy kamionë ishin vendosur në urën që të çon brenda fshatit Banjskë.

Rreshteri policor Afrim Bunjaku së bashku me dy kolegë të tij i ishin përgjigjur rastit, me ç’rast deri sa ishte afruar te kamionët e vendosur për të parë se çfarë po ndodhte kishte shpërthyer një mjet shpërthyes.

Rreshteri Afrim Bunjaku ishte vrarë në sulm më 24.09.2023 ndërsa dy kolegët e tij, njëri ishte plagosur e tjetri ishte lënduar.

E shpërthimi që ndodhi më 29.11.2024 në kanalin e ujit të ndërmarrjes “Ibër-Lepenci”, në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut ashtu siç ishte cilësuar nga Qeveria e Kosovës si “sulm terrorist”, njësoj e quajti edhe kryetari në largim i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.

“Ishte një sulm terrorist siç jam shprehur qysh në natën e parë, qysh se kur ka ndodhur ishte sulm shqetësues dhe i rëndë, shumë i dëmshëm. Mirëpo ja që prej atëherë duket se janë marrë disa të dyshuar, mekanizmi i sigurisë ka punuar dhe është duke punuar për zbulimin e rastit”- tha Zeqiri.Në mesin e vështirësive, si sfidë më të madhe Zeqiri e cilëson siç e quan ai, kundërshtimin nga grupet kriminale.“Pra sulmuan, organizuan aq protesta të fuqishme, sulmuan organet e rendit, na pengojshin në administratë, sulmojshin organet e KFOR-it”, potencoi ai.

Se faza e fillimit kur mori detyrën ishte sfiduese e thotë Zeqiri, duke theksuar se me gjithë angazhimin maksimal siç thot ai të ekipit e po ashtu falë organeve të sigurisë, vitin e parë u arrit që të stabilizohet gjendja.

“Të krijohen kushtet për normalitet, për shërbime normale, që të hyjnë në funksion edhe zyrat në shërbim të qytetarit”, tha më tej ai.

Se kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për nesër e thanë dy kryetarët që i përkasin Partisë Demokratike të Kosovës.

“Natyrisht që jemi në gjendje gatishmërie se kurdo që të marrin mandatin e plotfuqishëm dhe të bëjmë pranimin–dorëzimin, pra t’u urojmë edhe detyrat. Unë jam i gatshëm, do të thotë, për mua është me rëndësi është të zhvillohen procedurat e duhura”, potencoi Izmir Zeqiri.

Për KALLXO.com për t’i rrëfyer përvojat e tyre nuk pranuan të flasin Erden Atiq, kryetar në largim i Mitrovicës së Veriut dhe Lulzim Hetemi i Komunës së Leposaviqit.

Sot në zyrat e komunave në veri të Kosovës dhanë betimin e tyre kryetarët nga komuniteti serb, të cilët fituan në zgjedhjet e fundit lokale.

Betimin si kryetar komune, përveç kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, i cili u betua në objektin e Komunës, tre kryetarët e tjerë, i Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, nuk u betuan në objektet e komunave, por në shkolla dhe zyre të bashkësisë komunale.

Në një komunikatë zyrtare, në ditën e betimit Policia e Kosovës kishte thënë se pesë policë u lënduan, katër vetura të Policisë u dëmtuan, njëra prej të cilave u dogj.

Ndërsa, sipas forcave të rendit, ishin dëgjuar edhe të shtëna nga armë zjarri.Në mënyrë krejtësisht të pazakontë, nën përcjellje të Policisë e mes tensionesh, kryetarët në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, pasditen e së premtes së 26 majit 2023 u futën në zyrat e punës.

Më 29 maj, në orët e hershme të mëngjesit, qytetarë serbë ishin mbledhur sërish pranë objekteve komunale në tre komunat e veriut të vendit.

Ata do të kundërshtonin sërish futjen e kryetarëve shqiptarë në objektet e komunave.

Në veri prezencën e kishte shtuar misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Derisa kundërshtimi i serbëve lokalë vazhdonte në veri të vendit, ambasadorët e vendeve europiane dhe ai i SHBA-së kishin nisur përpjekjet për ta bindur kryeministrin Kurti që veprimet përmes policisë të ndalonin dhe situata të qetësohej.

Përpjekjet e ndërkombëtarëve nuk patën sukses të hënën.Gjatë të njëjtës ditë kishin ndodhur përplasje mes protestuesve që Policia e Kosovës i quajti grupe kriminale, dhe ushtarëve të KFOR-it.

Për pasojë, rreth 30 ushtarë të misionit të NATO-s u lënduan, në mesin e tyre italianë dhe hungarezë. Më vonë, tre nga ushtarët u konfirmua se ishin të plagosur nga arma e zjarrit. /Kallxo.com/