FSK nis kërkimet në Liqenin e Ujmanit për trupin e mërgimtarit 33-vjeçar

Kërkimet për trupin e mërgimtarit 33-vjeçar, i cili dyshohet se është hedhur nga ura në Liqenin e Ujmanit, kanë hyrë në ditën e tretë, ndërsa operacionit i janë bashkuar edhe njësitë e specializuara të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ekipet e zhytësve të FSK-së tashmë janë futur në ujërat e liqenit, duke u angazhuar në kërkimin për lokalizimin e trupit të të riut.
Edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se njësitet e specializuar të zhytjes dhe kërkim shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës sot në mëngjes janë angazhuar në mbështetje të autoriteteve civile për kërkimin e trupit të mërgimtarit në liqenin e Ujmanit në Komunën e Zubin Potokut.
Sipas tij, Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të detyrave të saj thelbësore ka edhe mbështetjen e autoriteteve civile.
“Në këtë aspekt në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe bashkërendim me KFOR, ekipet e specializuara të FSK kanë filluar operacionin e kërkimit në liqenin e Ujmanit me synimin që sa më shpejtë të nxirret trupi i mërgimtarit dhe ti lehtësohet dhimbja familjes”, ka shkruar Maqedonci.
Po ashtu, për Telegrafin, nga Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim bënë të ditur se ekipet e tyre ndodhen prej ditës së diel në terren, duke bashkëpunuar me njësitet policore në përpjekjet për të gjetur personin e zhdukur.
Ndryshe në vendngjarje kanë qenë të angazhuara njësite të Policisë së Kosovës, ekipet e kërkim-shpëtimit si dhe zhytës profesionistë, të cilët po punojnë pa ndërprerë për lokalizimin e trupit, por deri tani, përpjekjet nuk kanë dhënë rezultat. /Telegrafi/






















































