Pak lojtarë kanë mundësinë të luajnë për Real Madridin, dhe edhe më pak janë ata që kanë luksin të refuzojnë një transferim drejt kryeqytetit spanjoll. 

Suksesi i jashtëzakonshëm i ‘Los Blancos’ si në garat vendore ashtu edhe në Ligën e Kampionëve, i ka lejuar klubit të tërheqë disa nga lojtarët më të mëdhenj të botës në ‘Santiago Bernabéu’. 


Megjithatë, jo çdo objektiv i afatit kalimtar është arritur. Real Madrid nuk ka mundur të sigurojë nënshkrimin e çdo ylli që ka pasur në radar, veçanërisht kur bëhet fjalë për yje të Ligës Premier apo Serie A. 

Ish-reprezentuesi i Italisë dhe legjenda e Romës, Francesco Totti, ka treguar së fundmi për ofertat e shumta që ka marrë nga Madridi  dhe pse i ka refuzuar ato. 

“Të gjithë e dinë se tifozët e Romës janë ndryshe nga çdo tifozeri tjetër në Itali apo Evropë”, u shpreh ai për Corriere dello Sport. 

“Në Romë përjetova diçka unike. U kurorëzova në këtë qytet, dhe kjo ishte e mundur vetëm falë tifozëve. Ata më dhanë shumë”. 

“Gjatë karrierës sime pata mundësinë të luaj për ekipe të tjera, si brenda Italisë ashtu edhe jashtë saj. Sidomos me Real Madridin, ku një transferim ishte shumë, shumë afër”. 

“Nuk ishte çështje dobësie. Ishte çështje dashurie. Zgjodha me zemër – zemër që ka qenë gjithmonë e përkushtuar ndaj Romës, ndaj dashurisë që ndjeja për këto ngjyra, për këtë fanellë”, ka thënë Totti. 

totti

Përkushtimi i Tottit ndaj Romës ilustrohet më së miri nga disa statistika mbresëlënëse për një lojtar që i ka qëndruar besnik një klubi të vetëm. 

48-vjeçari ka shënuar plot 307 gola në 786 ndeshje në të gjitha kompeticionet gjatë një karriere që shtrihet në tri dekada, nga viti 1993 deri në 2017. 

Në 25 sezone në ‘Stadio Olimpico’, ai ka fituar vetëm një titull kampioni në sezonin 2000/2001, si dhe dy Kupa të Italisë./Telegrafi/

telegrafi sport app