'Fotosit 3' përmbyllet në Prishtinë: Një javë përmes kujtesës, rezistencës dhe fuqisë së imazhit

Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë FOTOIST, i cili këtë vit shënoi edicionin e tretë, i ka ardhur fundi pas një jave të mbushur me emocione, reflektime dhe dialog të thellë mbi rolin e fotografisë në dokumentimin e së vërtetës dhe ruajtjen e kujtesës kolektive.
Nga 15 deri më 24 tetor 2025, Prishtina u kthye në një qendër ndërkombëtare të fotografisë, ku ekspozitat sollën rrëfime që preknin plagët e njerëzimit — nga luftërat e harruara dhe tragjeditë e refugjatëve, deri te ndryshimet klimatike dhe forca e njeriut për të mbijetuar.
Nëpërmjet veprave të Ron Haviv, Osman Demiri, Agron Dragaj, Eric Bouvet, Ziyah Gafic, Tomas van Houtryve, Hrvoje Polan, Igor Čoko, Doug Barrett, Jon Cherry, Ashley Gilbertson, Ed Kashi, Joachim Ladefoged, Ilvy Njiokiktjien, Nichole Sobecki, Maggie Steber, Sara Terry, Nolan Trowe, Suer Celina, Valjeta Zuka, Elena Gallina, Veselj Saliji, Denis Jagdji, dhe shumë të tjerëve, FOTOIST dëshmoi se fotografia është më shumë se dokument — ajo është kujtesë e gjallë, ndërgjegje dhe akt qëndrese.
Ky edicion u realizua falë bashkëpunimit të gjerë me institucione dhe organizata si The VII Foundation, OSBE, Handikos, Dokufest, Pro Peace, Barabar Center, Artistët për Artista, Galeria e Fakultetit të Arteve, Biblioteka Kombëtare dhe Heritage Space, duke krijuar një platformë të hapur që bashkoi artistë, gazetarë, studiues dhe publikun në një dialog për të kaluarën, të tashmen dhe përgjegjësinë ndaj së ardhmes.
Nën moton “Endurance / Qëndresa”, FOTOIST 3 e ktheu fotografinë në një dëshmi të qëndrueshmërisë njerëzore – të aftësisë për të mbijetuar, për të kujtuar dhe për të rindërtuar.

Në mbyllje të festivalit, organizatori Burim Myftiu theksoi se drita e imazheve që u ekspozuan gjatë këtyre ditëve do të vazhdojë të ndriçojë ndërgjegjen kolektive duke u shprehur: “Të mos harrojmë, të mos heshtim dhe të mos ndalim së besuari në forcën e njeriut përballë errësirës”.
Falënderime të veçanta iu drejtuan të gjithë artistëve, partnerëve dhe vizitorëve që e bënë të mundur këtë udhëtim përmes kujtesës dhe shpresës — një përmbyllje dinjitoze për një festival që çdo vit e ngre më lart rolin e fotografisë si gjuhë universale e humanitetit. /Telegrafi/





































































