LAJMI I FUNDIT:

Fotografia më e mirë e Jordi Barreras: Boshllëku i çuditshëm i qytetit që grumbullon pasuri!

Fotografia më e mirë e Jordi Barreras: Boshllëku i çuditshëm i qytetit që grumbullon pasuri!
Njeriu i përmbytur nga bota që kemi ndërtuar ... Foto që do të publikohet në librin e Jordi Bareras, “Already But Not Yet”

Rrëfimi i fotografit Jordi Barrera për gazetarin Edward Siddons / The Guardian
Përktheu: Telegrafi.com

Kur u shpërngula në Britaninë e Madhe, para gati një dekade, qyteti i Londrës ishte një nga vendet e para që vizitova. Iu bashkova një turneu turistik në këmbë, një të diele, dhe u mahnita se sa boshllëk kishte. Të gjitha dyqanet dhe restorantet ishin të mbyllura dhe vetëm disa njerëz ecnin në rrugë. Ishte tronditëse se si një nga qendrat ekonomike të Britanisë së Madhe, një nga zonat më të fuqishme financiare në botë dhe vendi i një pasurie kaq të madhe, ndihej pothuajse tërësisht vdekur. Fjala që gjithmonë e përdori për ta përshkruar këtë është – e çuditshme. Këtu është një vend që gumëzhinte nga aktiviteti ekonomik, por pothuajse nuk kishte njerëz. Është simbol i akumulimit, por pa ndonjë subjekt të vërtetë. Kush po e shtyn këtë nguti për të grumbulluar pasuri gjithnjë e më të madhe? Kush po përfiton prej saj? Dhe, për çfarë qëllimi?


Kam qenë gjithmonë fotograf lokal. Marr frymëzime nga jeta shoqërore e komuniteteve ku kam jetuar, por këtu, në qytetin e Londrës, më dukej sikur nuk kishte asgjë të tillë. Vendosa ta bëj një seri të fotografive të rrugëve bosh, për ta kaptuar këtë vend të çuditshëm fantazmë që hasa atë të diele. Megjithatë, shpejt zbulova se mund të bëj imazhe të ngjashme gjatë ditëve të javës, por me punëtorë të vetmuar në peizazhe të qytetit, gjë që ua dha imazheve një dimension shtesë.

Kjo foto ishte pjesë e një serie më të gjerë rreth pasojave psikologjike të kulturës së sotme të punës. Seritë shpesh i përshkruajnë njerëzit në momente izolimi – duke dalë nga zyra për një cigare, duke ecur vetëm nëpër ndërtesat e larta ose duke i ngulitur sytë në telefonat e tyre. Ky imazh përmbledh të gjitha këto: një figurë e vetmuar, e pushtuar nga moria e ndërtesave të zyrave që e rrethojnë. Është imazh i njeriut të përmbytur nga bota që kemi ndërtuar.

Ajo që më pëlqen në këtë imazh është fakti se është sa specifik aq edhe i përgjithshëm. Nga njëra anë mund të bëhet në çdo metropol. E tregon mënyrën se si globalizimi ka rrafshuar kultura të ndryshme, duke i krijuar këto hapësira identike në mbarë botën. Por, nga ana tjetër flet konkretisht për arkitekturën e qytetit të Londrës dhe ndjesitë që ngjall mjedisi i ndërtuar.

Ky imazh ka të bëjë po aq me arkitekturën sa edhe me personin. Isha tërësisht i magjepsur duke ecur nëpër qytet nga një lloji fërkimi mes ndërtesave. Historikisht, qendra e saj ishte gjithmonë te “Shën Pali” – ky simbol i madh i fuqisë së kishës, që mbikëqyr gjithçka përreth. Por, katedralja tani lufton për dominim me blloqet e zyrave që mbulojnë zonën. Duket se mjedisi i ndërtuar është mbyllur në një luftë për pushtet, me krishterimin dhe neoliberalizmin që konkurrojnë për dominim.

Jeta e punës sot është shumë e ndryshme nga ajo që ka qenë. Por, edhe përpara koronavirusit dhe shtimit të punës nga shtëpia, punëtorët ishin gjithnjë e më shumë të vetëm dhe të izoluar, krejt ndryshe, për shembull, nga mënyra e viteve 1970. Ka shumë më pak ndërveprim dhe shumë nga metodat e vjetra të sjelljes së punëtorëve, në dialog me njëri-tjetrin – si sindikatat – kanë rënë në kohë të vështira.

Seria i parapriu pandemisë, por duke e parë sot duket si profetike dhe mendoj se njerëzit tani ndoshta reagojnë më ndryshe ndaj këtyre imazheve, sesa dikur – përpara se të ishim të mbyllur në shtëpitë tona. Mund të jemi mësuar t’i shohim më shumë qytetet bosh, por procesi filloi shumë përpara koronavirusit dhe do të vazhdojë edhe pas tij.

E shoh fotografinë time si formë eksplicite politike, si mjet për ndryshime shoqërore. Fotografët për të cilët jam më i interesuar e përdorin kamerën për të hulumtuar dhe për të kritikuar shoqëritë ku jetojmë.

Sot të gjithë bëjnë fotografi. Në shumë aspekte, kjo është gjë e mirë: është një demokratizim i mediumit. Por, kjo do të thotë se fotografët duhet të dallohen. Thjesht, kapja e momenteve nuk mjafton. Mendoj se puna e fotografit është që të jetë refleksiv dhe mbi të gjitha kritik.

CV-ja e Jori Barrerasit

Viti dhe qyteti i lindjes: Santa Koloma de Gramenet, Spanjë, 1977.

Trajnimi: Shkolla e Fotografisë “Grisart” dhe “Birkbeck”, Universiteti i Londrës.

Ndikimi: Revista “Gama”, ku kam mësuar vlerën shoqërore dhe politike të fotografisë.

Suksesi: Arritja e balancës mes punës komerciale dhe cakut artistik dhe fakti se kam siguri relative financiare, si dhe lirinë për të vazhduar me projekte artistike

Dështimi: Humbja e punës në gazetën ku punoja, për shkak të krizës financiare. Kjo teposhtëze ishte ajo që më çoi në Londër.

Këshilla: Mos prit se në mënyrë magjike do të dalin rezultatet e projekteve tua. Bëjë fotografi në rrugë, në shtrat, dhe nga gabimet tua kërkoje zgjidhjen për projektin tënd. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
PLAK BUDALLA

PLAK BUDALLA

Fjala+
Fadil Hoxha e Veli Deva, Enver Hoxhës më 1968: Kujdes me Titon, se po na e vështirësoni punën në Kosovë

Fadil Hoxha e Veli Deva, Enver Hoxhës më 1968: Kujdes me Titon, se po na e vështirësoni punën në Kosovë

Kulture
Russell dhe Wittgenstein: Miqësia e pamundur!

Russell dhe Wittgenstein: Miqësia e pamundur!

Kulture
BIR

BIR

Poezi
Bisedat me “Bob Dylanin” në internet: Mashtruesit që kërkojnë para!

Bisedat me “Bob Dylanin” në internet: Mashtruesit që kërkojnë para!

JIM

JIM

Fjala+
Kalo në kategori