Foshnja 8-muajshe vdes nga i ftohti në Gaza, mijëra familje në rrezik si pasojë e motit të keq

Një foshnjë palestineze tetëmuajshe ndërroi jetë sot nga i ftohti i ashpër në qytetin Khan Younis në jug të Rripit të Gazës, mes kushteve të përkeqësuara të dimrit me të cilat po përballen familjet e zhvendosura pas dy vitesh luftë.
Foshnja, e identifikuar si Rahaf Abu Jazar, vdiq pasi temperaturat ranë ndjeshëm në zonë ndërsa familjet po strehohen në tenda të improvizuara.
Duke konfirmuar vdekjen, kreu i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Munir al-Bursh paralajmëroi se më shumë fëmijë, të moshuar dhe të sëmurë mund të humbin jetën nga i ftohti.
"Temperaturat e ulëta po i shkatërrojnë fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët", tha ai, duke përshkruar raste me dridhje të forta, humbje të temperaturës trupore, përkeqësim të frymëmarrjes dhe rrezik vdekjeje.
Ai tha se lagështia dhe uji i ndenjur brenda tendave krijojnë një mjedis për pneumoni dhe infeksione respiratore ndërsa të sëmurët nuk po arrijnë të gjejnë ilaçe apo kujdes mjekësor.
Mbrojtja Civile e Gazës tha se tërë kampet janë përmbytur nga uji i shiut, përfshirë zonat në Al-Mawasi në Khan Younis, Al-Bassa dhe Al-Baraka në Deir al-Balah, zonën e Tregut Qendror në Nuseirat si dhe lagjet Yarmouk dhe Al-Mina.
Sipas të dhënave të mëparshme, Gazës i nevojiten 300 mijë tenda dhe njësi banimi për të përmbushur nevojat më bazike të strehimit, pasi Izraeli shkatërroi infrastrukturën gjatë dy viteve të luftës.
OKB-ja vlerëson se kostoja e rindërtimit të Gazës arrin në rreth 70 miliardë dollarë. /AA/



































