LAJMI I FUNDIT:

Mbi 150 milionë euro pritet të kushtojë rruga Prizren – Tetovë

Mbi 150 milionë euro pritet të kushtojë rruga Prizren – Tetovë
Foto: Ilustrim

Qeveria e Kosovës ka formuar komisionin për vlerësimin e fizibilitetit për rrugën Prizren-Tetovë.

Kjo rrugë nga ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu u cilësua e rëndësishme dhe lidhëse e dy korridoreve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.


“Do të prezantoj vendimin e sotëm të qeverisë për krijimin e komisionit nga ana e qeverisë për studimin e fizibilitetit për rrugën Prizren-Tetovë. Ky është hap konkret pas marrëveshjes e cila u nënshkrua në Shkup në mes të dy kryeministrave dhe e cila ka të bëjë me realizimin e një projekti të rëndësishëm që përpos që lidh dy qytetet, Prizrenin dhe Tetovën, lidh edhe dy korridore shumë të rëndësishme që është korridore 8 që nga Shkupi arrin në Durrës përmes Librazhdit dhe korridorit, rrugës së Kombit, nga Prishtina në Tiranë. Këto dy korridore do të mund të lidhen në mes veti përmes rrugës Prizren-Tetovë”, ka deklaruar Aliu.

Ai ka thënë se studimet e parafizibilitetit janë kryer dhe me vendimin e sotëm të qeverisë do të filloj puna konkrete teknike.

“Studimet parafizibilitetit tashmë janë bërë nga ana e Drejtorisë së Rrugëve në Republikën e Maqedonisë dhe me nënshkrimin e marrëveshjes mes dy qeverive në Shkup dhe me vendimin e sotëm do të filloj puna konkrete teknike drejt përfundimit të këtij studimi dhe fillimit të projektit të menjëhershëm për realizimin e kësaj rruge. Projekti do të kalojë vlerën mbi 150 milionë euro, por mund të shkojë edhe më lart. Po flasim për tunelin bashkë me lidhjen rrugore për Prizren”, ka thënë ai.

Ekzekutivi po ashtu formoi komisionin për përgatitjen e një parallogaritje ose plani ideor për zbatimin e rehabilitimit të zonës të Hanit të Elezit ndërmjet dy objekteve kufitare Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. /Telegrafi/