Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda ka ndarë mendjen tashmë për formacionin që pritet ta inkuadroj në përballjen ndaj Sllovenisë.

Kombëtarja e Kosovës do të luajë sot (e premte) ndaj Sllovenisë në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës 2026.


Dardanët janë nikoqir të sllovenëve në ndeshjen e tretë të Grupit B, e cila pritet të zhvillohet në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë me fillim nga ora 20:45.

Ekipi i Franco Fodas vjen në këtë përballje nga një fitore e madhe ndaj Suedisë dhe synon tri pikët e radhës për të vazhduar ëndrrën e kualifikimit.

Trajneri gjerman ka ndarë mendjen për lojtarët që pritet t’i besoj në këtë ndeshje shumë të rëndësishme.

Telegrafi mëson se Foda do t’i besojë 11-shes që fitoi ndeshjen e madhe ndaj Suedisë, ndërsa për dallim nga ai takim, në formacion do të ketë vetëm një ndryshim.

Formacioni ndaj Suedisë

Ndryshimi i vetëm në formacion pritet të jetë inkuadrimi i prurjes së re, Albian Hajdari, në vend të Lumbardh Dellovës së lënduar.

Në portë do të startoj Arijanet Muric, ndërsa partner të Hajdarit në qendër të mbrojtjes do të jenë Ilir Krasniqi dhe Fidan Aliti.

Albian Hajdari në stërvitje te Kosova

Krahët do të përbëhen nga Mërgim Vojvoda dhe Dion Gallapeni, teksa mesfusha do t’i besohet Leon Avdullahut, Elvis Rexhbeçajt dhe Florent Muslija, i cili është favorit në balotazhin ndaj Muharrem Jasharit.

Dyshja e sulmit do të përbëhet nga Vedat Muriqi dhe Albion Rrahmani, ndërsa në pjesën e dytë mund të ketë minuta edhe për Fisnik Asllanin dhe dy yjet e rikthyer në këtë grumbullim, Edon Zhegrova dhe Milot Rashica. /Telegrafi/

Formacioni i mundshëm i Kosovës


telegrafi sport app