Forcohet siguria në objektet e Brigadës së Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Prishtinë

Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Kryeqytet ka njoftuar për instalimin e sistemeve moderne të kamerave të sigurisë në të dy objektet e Brigadës Profesionale për Zjarrfikje dhe Shpëtim (BPZ).
Ky investim është pjesë e vazhdimësisë së projekteve për forcimin e infrastrukturës së sigurisë publike, nën përkushtimin e kryetarit të Kryeqytetit, Përparim Rama, përcjell Telegrafi.
Sipas njoftimit, sistemet e reja do të mundësojnë mbikëqyrje të vazhdueshme, duke garantuar siguri më të lartë për personelin, pajisjet dhe ambientet e punës.
“Ky është një hap i rëndësishëm në drejtim të modernizimit të kapaciteteve të shërbimeve të sigurisë, si dhe në krijimin e një mjedisi pune më të sigurt për ekipet profesionale të zjarrfikësve”, thuhet në komunikatë.
Drejtoria ka theksuar se siguria fillon nga infrastruktura, dhe se çdo investim në këtë drejtim përbën kontribut të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e qytetarëve dhe të pasurisë publike. /Telegrafi/

















































