"Flisnin kundër Izraelit", Gal Gadot fajëson figurat publike për dështimin e filmit "Borëbardha"
Aktorja izraelite Gal Gadot ka deklaruar se disa figura të njohura publike janë detyruar të flasin kundër Izraelit, dhe sipas saj, kjo ka ndikuar në dështimin e filmit të saj “Snow White” (Borëbardha).
“Ishe e bindur se ky film do të ishte një sukses i madh, por më pas ndodhi ajo që ndodhi”, tha Gadot, duke iu referuar ngjarjeve të 7 tetorit. Sipas saj, “shumë gjëra kanë ndryshuar në industri të ndryshme, përfshirë edhe Hollywood-in”.
Aktorja theksoi se mbi personalitetet publike ka një presion të vazhdueshëm për të marrë qëndrim kundër Izraelit. “Unë gjithmonë përpiqem të shpjegoj dhe të jap kontekst mbi atë që po ndodh këtu, dhe këtë e bëj gjithmonë. Por në fund të fundit, secili merr vendimet e veta”, u shpreh ajo.
E zhgënjyer nga pritshmëritë, Gadot tha se e ndjeu se kjo situatë pati ndikim të madh negativ në suksesin e filmit. “Kështu është kjo punë. Diku fiton, diku humb”, shtoi aktorja.
Mediat kanë raportuar më herët se gjatë xhirimeve të filmit kishte tensione mes saj dhe koleges Rachel Zegler. Kjo e fundit shpesh përdor rrjetet sociale për të denoncuar veprimet e Izraelit, duke i cilësuar si “gjenocid ndaj palestinezëve”.
Ndërkohë, Gal Gadot, e cila ka shërbyer më parë në ushtrinë izraelite, ka mbrojtur publikisht qëndrimet e vendit të saj. /Telegrafi/








































