LAJMI I FUNDIT:

Fjalimet e liderëve të Ballkanit në OKB nënvizojnë ndasitë, ende siklet për Kosovën

Fjalimet e liderëve të Ballkanit në OKB nënvizojnë ndasitë, ende siklet për Kosovën

Fjalimet e liderëve të Ballkanit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB nënvizuan agjendat e ndryshme dhe shpesh konfliktuale të vendeve të tyre.

Për çështje si terrorizmi global apo kriza e migracionit vendet e Ballkanit mund të kenë pikëpamje të ngjashme, por mosmarrëveshjet e tyre për shumë çështje të tjera si kufiri dhe siguria në marrëdhëniet etnike dhe politike, u shfaqën në debatin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB- e cila filloi të martën e kaluar dhe përfundoi më 25 shtator.

Të enjten, pas diskutimit për Sirinë, Palestinën dhe Afganistanin, shefja e diplomacisë së BE, Federica Mogherini, mblodhi ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor për një takim jozyrtar, ku bëri thirrje për bashkëpunim rajonal “nga terrorizmi në menaxhimin e flukseve të refugjatëve” – siç shkroi ajo në blogun personal.

Pas këtij takimi, ministrat e Jashtëm të katër vendeve ballkanike që i përkasin BE-së – Bullgaria, Greqia, Rumania dhe Kroacia – premtuan se do të ndihmonin më shumë në integrimin europian të gjashtë vendeve të tjera në rajon.

Por fjalimet e liderëve të Ballkanit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB treguan se rajoni mbetet shumë i përçarë në çështje të ndryshme dhe se shtetet e Ballkanit ende janë më shumë të përqendruara te çfarë i përçan sesa çfarë i bashkon.

Përplasja për Kosovën

Nuk është çudi që kryeministri shqiptar, Edi Rama, tha se vendi i tij e shihte pranimin e Kosovës në OKB si një çështje “e një rëndësie të jashtëzakonshme”.

“Për të pasur një rajon plotësisht funksional, të gjithë anëtarët duhet të trajtohen në të njëjtën mënyrë,” tha ai në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të premten. Ashtu si dhe në të shkuarën, megjithatë, fjalimi antagonizoi Serbinë, e cila ende pretendon se Kosova është territor serb.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq u përgjigj duke thënë se ndërsa Beogradi nuk do ta pranonte shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, vendi kishte punuar për të zgjidhur situatën në mënyrë paqësore.

“Progresi i arritur përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian në Bruksel ishte rezultat i kompromiseve dhe lëshimeve të vështira për të dyja anët, por kryesisht nga Serbia, e cila ka demonstruar qëndrimin konstruktiv dhe angazhimin ndaj dialogut,” tha ai më herët, gjatë fjalës të enjten.

Por pastaj ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të bllokojë kërkesën e Kosovës për të hyrë në UNESCO, duke fajësuar qeverinë e Kosovës për shkatërrimin e vendeve të trashëgimisë kulturore serbe, veçanërisht në trazirat anti-serbe që tronditën Kosovën në vitin 2004.

Megjithatë, kritikët e Vuçiqit përdorën Twitter për të thënë se sa e zbrazët ishte salla e Asamblesë së Përgjithshme gjatë fjalimit të tij.

Vuk Jeremiq, ish-Ministri i Jashtëm i Serbisë, postoi foton e sallës thuajse të zbrazët, duke thënë se tregonte “nivelin më të ulët të respektit për vendin tonë ndonjëherë”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili ishte gjithashtu në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme, u përgjigj në Twitter se nuk shihte asnjë mënyrë për stabilitet në Ballkanin Perëndimor pa njohjen e Kosovës.

Ekstremizëm dhe emigrantë

Shumica e vendeve në Ballkan janë dakord me nevojën për të frenuar ekstremizmin dhe emigracionin, si dhe për të luftuar terrorizmin.

Megjithatë, qasjet e tyre ndryshojnë edhe këtu. Dragan Çoviq, nga presidenca e Bosnje-Hercegovinës e fokusoi fjalimin e tij në angazhimin e Bosnjës për të mposhtur Shtetin Islamik dhe për të mbështetur përpjekjet për të çliruar komunitetet.

“Zhdukja e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm kërkojnë investime në një spektër të zonave të ndërlidhura, duke i dhënë fund padrejtësisë dhe pabarazisë duke luftuar varfërinë dhe mungesën e lirisë”, tha ai më 20 shtator.

Sipas të dhënave zyrtare, Bosnja është një nga eksportuesit më të mëdhenj rajonal të xhihadistëve në Lindjen e Mesme.

Bullgaria, megjithatë, është më pak e shqetësuar me radikalizmin islamik por më tepër e përqendruar te emigracioni si dhe te ndalimi i hyrjeve nga Turqia fqinje në Bullgari.

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, e bëri migrimin pikën kryesore të fjalimit të tij. “Shtimi i kontrollit të kufirit është i një rëndësie parësore, veçanërisht në lidhje me parandalimin e emigracionit të paligjshëm dhe çrrënjosjen e trafikimit të qenieve njerëzore”, tha Radev të enjten.

Kjo ishte gjithashtu tema kryesore që diskutoi me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres.

Kroacia është gjithashtu e shqetësuar nga rrjedha e refugjatëve dhe emigrantëve që nxitën Hungarinë fqinje të ndërtojnë gardhe në kufijtë e saj.

Nga ana tjetër, kryeministri i ri maqedonas Zoran Zaev theksoi se qeveria e tij kishte një qasje të ndryshme ndaj marrëdhënieve me fqinjët dhe po përpiqej të kapërcente disa fërkime të vjetra.

Si një provë e kësaj qasjeje, në fjalimin e tij të premten ai përmendi traktatin e miqësisë që Maqedonia dhe Bullgaria nënshkruan më 1 gusht, e cila synon t’i lërë mënjanë dallimet mes tyre.

Siguria në Ballkan dhe parandalimi në Detin e Zi

Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, tha se donte marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim rajonal në Ballkan, dhe foli për multilateralizmin dhe afirmimin e organizatave ndërkombëtare në promovimin e paqes dhe sigurisë.

Në fjalimin e tij më 21 shtator, ai nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO dhe marrëdhëniet e mira me Bashkimin Europian.

Për Rumaninë, siguria rajonale ishte gjithashtu një prioritet. Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, theksoi se rajoni i Detit të Zi po bëhet gjithnjë e më i paqëndrueshëm.

Së fundi, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, theksoi shqetësimet mbi stabilitetin e Ballkanit, ndonëse shumë e konsiderojnë atë si një nga faktorët destabilizues, pjesërisht për shkak të spastrimit të vazhdueshëm të mbështetësve të opozitës, medias dhe akademikëve pas grushtit të dështuar të vitit të kaluar.

“Ballkani është një tjetër rajon i mundshëm krize që ende përballet me sfida serioze dhe ne i kushtojmë rëndësi të madhe integrimit të rajonit me institucionet euroatlantike. Turqia do të bëjë pjesën e saj për të siguruar stabilitetin në rajon”, tha ai të premten. Erdogan do të vizitojë Beogradin më 10 tetor. /BIRN/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Propozimi i PDK-së për datën e zgjedhjeve, ristrukturimi në këtë parti dhe deklarata e Hamzës për Kurtin, Abdixhikun e Haradinajn

Propozimi i PDK-së për datën e zgjedhjeve, ristrukturimi në këtë parti dhe deklarata e Hamzës për Kurtin, Abdixhikun e Haradinajn

Lajme
Kalo në kategori