Aurela Gaçe më e mira në festivalin e Këngës RTSH

Data 25 dhjetor ka qenë mbrëmja më e veçantë e vitit për këngëtaren Aurela Gaçe, pasi ajo ka fituar vendin e parë në edicionin e sivjetmë të Festivalit të Këngës në RTSH, duke gëzuar kështu të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në “Eurovision”. “Kënga ime” kënduar nga Aurela, me tekst të Sokol Marsit, kompozim e orkestrim të Shpëtim Saraçit, u vlerësua me çmimin e parë.


“Do Zoti, nuk ju zhgënjej”, ka uruar ajo para publikut.

Juliana Pasha në skenën e Eurovizionit, triumfon në “Kënga Magjike”

Fituesja e shumëfishtë e vitit - ky epitet do t’i shkonte për shtati këngëtares Juliana Pasha, pasi ajo përveç që ka pasur nderin ta përfaqësojë Shqipërinë në festivalin evropian të këngës, disa muaj më vonë arriti të rrëmbejë vendin e parë edhe në festivalin tradicional “Kënga Magjike”, me duetin me Luiz Ejllin të titulluar “Sa e shite zemrën ti”.

“Ndihem e kënaqur si asnjëherë tjetër, pasi ky çmim ishte tepër i veçantë për faktin se vetë kolegët na vlerësuan me çmimin e parë”, është shprehur Juliana për të përditshmen “InfoPress”.

Dafina Zeqiri triumfoi në “Videofestin Muzikor 2010”

Videoklipi i këngës “Amazing Girl”, kënduar nga Dafina Zeqiri ishte fitues kryesore i edicionit të sivjetmë të “Videofestit Muzikor”, duke rrëmbyer kështu edhe çmimin për “Videoklipin më të mirë”.

“Është një shtytje shumë e madhe në karrierën time”, pati thënë Dafina me këtë rast. Emocionet e mëdha e bënë Dafinën që t’i drejtohet në emër (“ISË”) kryetarit të komunës së Prishtinës, Isa Mustafës, i cili ia dorëzoi çmimin. Më pas këngëtarja i kërkoi falje Z. Mustafa dhe publikut, duke u arsyetuar se emocionet kishin bërë të vetën.

Eneda Tarifa rrëmbeu çmimin e parë në “Top Fest”

Eneda Tarifa, edhe pse jo aq aktive viteve të fundit, arriti të triumfojë në njërin prej festivaleve më të mëdha gjithë-shqiptare, “Top Fest”.

“Kam marrë çmime edhe më parë, edhe në skena të huaja si në Maqedoni, Mal të Zi, por ky është një çmim shumë i rëndësishëm për nga përmasat e madhështisë që përfaqësonte si festival.
‘Top Fest’ është tashmë një festival i përvitshëm, por këtë vit më shumë se çdo herë tjetër ka qenë i organizuar në parametrat më të lart, përfshirë këtu teknologjinë, por sidomos të kënduarit ‘live’”, është shprehur këngëtarja Eneda Tarifa, pasi kishte rrëmbyer çmimin e parë në “Top Fest 7”.

Shpat Deda fitues në “Netët e klipit shqiptar”

Shpat Deda u vlerësua me çmimin e parë në festivalin “Netët e Klipit Shqipëtar”, për videon e këngës “A thu”.

“Më ka ardhur shumë, shumë mirë që e kam fituar këtë çmim për shkak se në këtë projekt kanë punuar shumë njerëz. Përmes këtij çmimi është shpërblyer puna e atyre që kanë punuar në realizimin e klipit dhe në fakt ky çmim u takon atyre, pasi që është shpërblyer videoja”, ka pohuar Shpat Deda për “InfoPress”.

Flori me “Play Back” i dyti në Ballkan

Në një prononcim të mëhershëm për media kompozitori dhe këngëtari nga Shqipëria, Flori, pati deklaruar se këngën “Play Back” e kishte filluar si një eksperiment, por fatmirësisht ajo rezultoi e suksesshme dhe me të ai fitoi vendin e dytë në Balkan Music Awards 2010.

“Kjo këngë ishte një vitrinë shumë e mirë dhe më shërbeu më shumë se që mendoja. Në fakt, edhe për mua ishte pak eksperimentale, por shkoi mirë”, kishte thënë Flori./Telegrafi/